fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

VV dhe AAK përplasen në KQZ

Publikuar

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ibrahim Selmanaj në mbledhjen e cila po mbahet në KQZ ka kërkuar rinumërim të plotë të votave.

Selmanaj tha se parregullsitë kanë filluar nga qendrat e vendvotimit. “Qëndrimi i AAK-së, hetuesia duhet seriozisht të merret me këtë rast dhe me secilin komisionar, përgjegjës dhe në secilën kuti të votimit që janë bërë ndërhyrje. Kërkoj nga KQZ që të bëhet rinumërim i plotë, që të pastrohet ky proces dhe secili të përgjigjet për veprën që ka bërë”, ka thënë ai.

Ndërsa, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se hetimet janë në proces e sipër dhe se nuk mund të flas më shumë për këtë gjë derisa të kryhet ky hetim, shkruan Telegrafi.

“Hetimet janë në zhvillime e sipër. Kemi persona të ndaluar nga prokuroria dhe unë nuk dua të flas më shumë për këtë. Kemi rinumëruar të gjitha votat me kusht dhe me postë. Pasi të kryhen hetimet ne do ta kemi informatën e plotë se çka ka ndodh dhe kush është i involvuar”, tha ajo.

Daka po ashtu tha se objekti i hetimit nuk janë kutitë e tjera, por vetëm disa kuti që janë rinumëruar ditën e parë në Qendrën e Numërimit të Votave.

“134 kuti nuk janë objekt i hetimi”, u shpreh Daka.

Mirëpo sa i përket kërkesë së Selmanajt, Daka tha se nuk mund të jep ndonjë mendim.

“Sa i përket rinumërimit total të propozuar nga Ibrahimi nuk mund të jap ndonjë mendim, ato janë çështje e KQZ-së dhe nëse merr përkrahje te KQZ-ja atëherë do të ndodhë”, tha ndër të tjera ajo.

Ndërkaq, kundër kësaj kërkese të AAK-së është anëtari i KQZ nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi. Kurteshi ka thënë se në rast se kjo do të ndodhte atëherë ky proces do të merrte konotacion politik.

“Nuk jam pajtuar që ky ka qenë procesi më i mirë zgjedhor, por kërkesa për rinumërim të plotë i tejkalon kërkesat ligjore, dallimet e mospërputhje shihen mirë se ku janë. Unë e kuptoj që gjithmonë ata që marrin më pak vota, nuk mund të jenë të kënaqur me rezultatin”, ka thënë Kurteshi./tipografi/