fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Vuçiq: Rezoluta e Kosovës për Srebrenicën – e pritshme

“Rezoluta të tilla do të vazhdojnë. Ne mund t’i shmangim ato në disa parlamente, falë marrëdhënieve miqësore, por disa do të vazhdojnë me abuzimin politik të serbëve”, u tha Vuçiq gazetarëve gjatë një vizite në një spital të Beogradit.

Publikuar

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka reaguar pas këtij votimi duke thënë se ka qenë e pritshme nga Kuvendi i Kosovës, por shtoi se është befasuar që një rezolutë të tillë e ka miratuar edhe Kuvendi i Malit të Zi.

“Rezoluta të tilla do të vazhdojnë. Ne mund t’i shmangim ato në disa parlamente, falë marrëdhënieve miqësore, por disa do të vazhdojnë me abuzimin politik të serbëve”, u tha Vuçiq gazetarëve gjatë një vizite në një spital të Beogradit.

Kuvendi i Kosovës e miratoi rezolutën para se të shënohet përvjetori i 26-të i gjenocidit në Srebrenicë. Përkatësisht, të dielën më 11 korrik parashihet edhe varrosja e 19 viktimave të gjenocidit.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konstatuar në vitin 2007 se vrasjet në Srebrenicë kanë përbërë gjenocid.

Më 8 qershor 2021, gjykatësit e Kombeve të Bashkuara e mbështetën dënimin me burgim të përjetshëm ndaj ish-shefit ushtarak serb, Ratko Mlladiq për gjenocidin në Srebrenicë dhe mizoritë tjera gjatë gjithë luftës së Bosnjës më 1992-95.

Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale, konfirmoi dënimin me burgim të përjetshëm, i shpallur nga shkalla e parë më 2017, për rolin e tij në vrasjen e rreth 8.000 burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë.

Më 17 qershor, Parlamenti i Malit të Zi miratoi një rezolutë që ndalon mohimin e gjenocidit të Srebrenicës.

Parlamenti gjithashtu shkarkoi ministrin e Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Vlladimir Leposaviq për shkak të mohimit të gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjë dhe Hercegovinës.

Në anën tjetër, në Kuvendin e Serbisë janë dy rezoluta në lidhje me Srebrenicën. Në njërën kërkohet që Srebrenica të dënohet si krim, kurse tjetra si gjenocid. Diskutimi mbi rezolutat ende nuk është futur në rend të ditës atje.