fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Vuçiq: Ndryshimi i kufijve është i mundur vetëm nën mandatin e OKB-së

Ndryshimi i kufirit është i mundur vetëm nën mandatin e Kombeve të Bashkuara ose ndonjë institucioni tjetër

Publikuar

Aleksander Vuciq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se ai është kundër ndryshimit të kufijve, por kjo ide, sipas tij, do të mund të gjente zbatim vetëm nëse do të mandatohej nga Kombet e Bashkuara ose një institucion tjetër.

“Ndryshimi i kufirit është i mundur vetëm nën mandatin e Kombeve të Bashkuara ose ndonjë institucioni tjetër”, tha Vuçiq për televizionin TV Prva, duke shtuar se pozicioni i Serbisë bazohet në respektimin e ligjit ndërkombëtar.

Gjatë javëve të fundit, mediat në rajon, por edhe më gjerë, kanë shkruar për idetë për ndryshimin e kufijve të vendeve në rajonit të Ballkanit si mundësi për të zgjidhur çështjet e mbetura si të pazgjidhura nga procesi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Mediat në Bosnje e Hercegovinë dhe në Slloveni kanë shkruar se për këto ide kryeministri slloven Janez Jansha, vendi i së cilit merr së shpejti edhe kryesimin e radhës të BE-së, kishte dorëzuar në Bruksel një “non paper”.

Por, në BE kanë thënë disa herë se “nuk e kanë parë një letër të tillë”.

Disa shtete të BE-së, e më së shumti Gjermania, janë shprehur kundër ideve të tilla duke i quajtur si të rrezikshme.

Në gjuhën e institucioneve evropiane, non-paper është një dokument joformal, i cili ekspozohet në negociata të mbyllura brenda institucioneve të BE-së, në përpjekje për të gjetur marrëveshje për ndonjë çështje të kontestuar.

Ndërkohë Sllovenia, më 17 maj, do të jetë nikoqire e samitit të presidentëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, i njohur si Procesi Bërdo-Brioni. Vuçiç tha se pas takimit të nivelit të lartë, ai do të vizitojë Brukselin.

Bërdo-Brioni është një nismë e presidentëve të Sllovenisë dhe të Kroacisë, si dy shtete anëtare të BE-së, i cili synon forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe nxitjen e dialogut politik midis rajonit të Ballkanit dhe BE-së.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021