fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Vuçiq: Marrëveshjet e bëjnë Ballkanin pa kufij

“Ballkani i Hapur” është një ide e madhe, që, sipas tij, vetëm se do të forcohet.

Publikuar

Aleksander Vuciq

Më herët gjatë ditës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha për televizionin publik të Serbisë RTS se marrëveshjet që do të nënshkruhen më 21 dhjetor në Tiranë, janë “bërthamë e diçkaje që do të bëjë që kjo pjesë e Evropës, të jetë pa kufij”.

Vuçiq vlerësoi se “Ballkani i Hapur” është një ide e madhe, që, sipas tij, vetëm se do të forcohet.

Pos nikoqirit të takimit, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në bisedime mori pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Zaev në fjalën e tij tha se falë kësaj nisme, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të mbesin “peng i dështimeve të Bashkimit Evropian”.

“Kur kemi qenë së bashku me Vuçiq dhe Ramën dhe krijuam e përkufizuam këtë iniciativë, ne treguam që tri vendet tona nuk do të mbaheshin peng nga dështimet e Bashkimit Evropian sa i përket procesit tonë të integrimit në BE. Ky proces mund të ndalohet në Bruksel, por evropianizmi dhe vlerat tona evropiane në tri shtetet tona, nuk kanë arsye pse të presin”, u shpreh kryeministri Zaev.

Përmes video-lidhjes u kyç edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, duke i nxitur ata që ta vazhdojnë këtë nismë.

“Admiroj faktin se sa fort e ndieni këtë nismë, se pikë së pari ka qenë një nismë që vjen nga Ballkani. Nuk është Bashkimi Evropian që doli me këtë nismë, por ka ardhur prej jush, prej tri aktorëve që shoh rreth tryezës edhe sot, dhe ju vazhduat të shtyni përpara edhe kur ne nuk arritëm që të tërhiqnim pjesëmarrjen e gjithë partnerëve të Ballkanit Perëndimor, sepse ju kuptuat rëndësinë e integrimit rajonal dhe sidomos mënyrën në të cilën kjo është në gjendje të ndryshojë jetën e qytetarëve tuaj”, deklaroi Varhelyi.

Rama, Vuçiq dhe Zaev zhvilluan edhe një darkë pune më 20 dhjetor në Elbasan. Ndërkaq, takimi i radhës i nismës “Ballkani i Hapur” është caktuar të mbahet në shkurt në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Takimi dhe shkuarja e Vuçiqit në Shqipëri nxitën protesta në Tiranë.

Mijëra protestues dolën të hënën në rrugë, pas thirrjes së ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.

Berisha tha se protesta organizohet në “mbrojtje të interesave të kombit shqiptar”.

“Dua t’i garantoj shqiptarët se kjo nuk është një protestë kundër bashkëpunimit rajonal. Kjo është një protestë kundër një projekti që është refuzuar nga Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova. Një projekt që nuk synon gjë tjetër veçse vendosjen e hegjemonisë serbe në rajon”, tha Berisha.

Protestuesit, mes tjerash, dogjën një flamur të Serbisë.

Vuçiq tha se nuk dëshiron ta komentojë këtë ngjarje, duke theksuar se “duhet shikuar kah e ardhmja”.

“Nuk do të hyj në arsyet e tyre të brendshme partiake, por sigurisht se është e papranueshme përdhosja e simboleve dhe mendoj se Shqipëria ka reaguar menjëherë, seriozisht dhe me përgjegjësi”, tha Vuçiq.

Në nismën “Ballkani i Hapur” bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Ajo u iniciua nga krerët e këtyre shteteve në tetor të vitit 2019.

Nisma, që fillimisht u quajt “Mini-Shengen”, sipas iniciuesve të saj, parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis të tria vendeve.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë Forumit Ekonomik ku u prezantua “Ballkani i Hapur”, nismë që është vazhdimësi e “mini-Shengenit”. Shkup, 29 korrik 2021.

Në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur një sërë marrëveshjesh, që thuhet se kanë për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.

Këto tri shtete kanë vendosur që lëvizja e qytetarëve të tyre të bëhet me letërnjoftime.

Konferenca e përbashkët e përfaqësuesve të të tri shteteve pjesëmarrëse të nismës “Ballkani i hapur”

Në kuadër të kësaj nisme është arritur edhe marrëveshje për bashkëpunim në lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor, si dhe një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës.

Këto tri shtete kanë vendosur që nga 1 janari i vitit 2023 t’i heqin edhe kontrollet doganore.

Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë nënshkruar po ashtu marrëveshje për bashkëpunim sa i përket parandalimit dhe eliminimit të pasojave të fatkeqësive natyrore.