fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Vucic del me propozim për marrëveshjen Kosovë -Serbi

Publikuar

Serbia është e gatshme në çdo moment të vazhdojë dialogun me Kosovën, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit në Beograd me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Vuçiq tha se Serbia i mbështet aktivitetet, përpjekjet dhe synimet e Lajçakut që “me politikën e kompromisit, të vijmë deri te një zgjidhje, që do të nënkuptonte pakënaqësi ose kënaqësi të pjesshme për të dyja palët – pa ultimatume dhe zgjidhje të imponuara”.

Ai shprehu dëshirën e tij që në dialog të tregohet mirëkuptim për “interesat shtetërore dhe kombëtare të Serbisë”.

“Konsiderojmë se një marrëveshje kompromisi do të thotë: askujt gjithçka, gjithkujt mjaftueshëm”.

“Pavarësisht deklaratave që vijnë nga Prishtina, të cilat nuk janë inkurajuese, është detyrimi ynë që të jemi të përgjegjshëm dhe të përkushtuar”, tha Vuçiq, duke shtuar se nuk do të ketë përparim në integrimin evropian, nëse nuk ka një ndryshim serioz në dialogun me Prishtinën, shkruan Evropa e Lirë.

Vuçiq shtoi se Serbia nuk përcakton ndonjë afat për arritjen e një marrëveshjeje kompromisi dhe se ai do të insistojë në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të nënshkruara me Kosovën në Bruksel, përfshirë “Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe gjithçka tjetër që nuk është plotësuar”.

Vuçiq po ashtu tha se Serbia “i ka përmbushur plotësisht detyrimet e saj” dhe se këtë ua ka përsëritur shumë herë zyrtarëve në Prishtinë dhe Bruksel.

I pyetur të komentojë deklaratat e zyrtarëve të Kosovës se ata presin që Serbia ta njohë Kosovën, Vuçiq tha:

“Nëse dikush mendon se mund të thotë: ju tani duhet ta pranoni Kosovën e pavarur, kjo nuk do të ndodhë. Ata mendojnë se në këtë mënyrë mund të bëjnë presion mbi vendin tonë dhe se serbët do t’iu japin gjithçka që duan, sepse do të jenë nën presion. Kjo nuk do të ndodhë”./tg/

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021