fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës

Vjosa Osmani i ka marrë 71 vota nga 82 deputet që morën pjesë në proces të zgjedhjes së presidentit.

Publikuar

Vjosa Osmani ka arritur që në rrethin e tretë të votimit të siguroj votat e mjaftueshme për tu bërë Presidente e Republikës së Kosovës. Vjosa Osmani në këtë detyrë vjen pas Hashim Thacit, Atifete Jahjages, Behxhet Pacolilit si dhe Fatmir Sejdiut dhe Ibrahim Rugovës.

Përveç ish presidentes Atifete Jahjagës, asnjeri prej figurave politike, që kanë mbajtur këtë postë për arsye të ndryshme nuk e kanë përfunduar mandatin e plotë.

Vjosa Osmani ka marrë 71 vota nga 82 deputet që morën pjesë në proces të zgjedhjes së presidentit.

Kush është Vjosa Osmani-Sadriu?

Vjosa Osmani – Sadriu u lind më 17 maj të vitit 1982, në qytetin e Mitrovicës. Shkollën fillore dhe atë të mesme, e përfundoi me sukses të shkëlqyeshëm në qytetin e saj të lindjes. Studimet themelore i përfundoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet master dhe doktoraturën e përfundoi në Universitetin e Pitsburgut, në SHBA, ku u dallua në mesin e qindra studentëve ndërkombëtarë. Përgjatë të gjitha fazave të studimit, ajo ishte bursiste. Si profesoreshë universiteti, në Kosovë ajo ligjëron lëndë nga fusha e së Drejtës Ndërkombëtare, ndërkaq në Amerikë ligjëron lëndën “Shtet-ndërtimi dhe e Drejta: Përvoja e Kosovës”.

Deri para pak ditësh Osmani ishte kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, si deputete e LDK-së. Më herët ka shërbyer si Kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane dhe nënkryetare e Komisionit për Reforma Kushtetuese në Kosovë. Krahas ndërtimit të karrierës së suksesshme, Vjosa është martuar dhe është nënë e dy vajzave binjake.
Karriera politike e Vjosa Osmanit filloi qysh në adoleshencë, kur edhe ishte aktiviste e LDK-së, për t’u ngritur më pas ndër vite. Më 27 gusht të vitit 2009, Vjosa Osmani – Sadriu u zgjodh shefe e stafit të Presidentit të atëherëshëm të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu. Për tri mandate, Osmani ishte deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, me ç’rast në dy mandatet e fundit, ishte deputetja grua më e votuar në historinë e Kosovës.

Ndonëse në moshë të re, ajo njihet për kontributin e saj të dhënë për pavarësimin e Kosovës, saktësisht njihet kontributi i saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), ku në atë kohë ishte pjesë e palës kosovare në mbrojtjen e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, rast të cilin Kosova e kishte fituar kundrejt Serbisë. Në këtë proces jetik për pavarësimin e vendit, Vjosa ka shërbyer si përfaqësuese e Kosovës.

Kandidatja për kryeministre të LDK-së Vjosa OSmani, i përfundoi studimet e nivelit bachelor në Kosovë me bursë, e cila iu nda nga Ministria e Arsimit, duke u vlerësuar si studentja më e mirë e Fakultetit Juridik në Kosovë.

Njëherësh, ajo u zgjodh edhe një ndër pesë studentët më të mirë të vendit nga të gjitha fakultetet. Në vitin 2004, ajo ishte përfituese e bursës për përfundim të studimeve të nivelit master në Universitetin e Pitsburg-ut në SHBA. Në vitin 2005 është shpërblyer dy herë me Çmimin “Excellence For The Future Aëard”, nga Universiteti i Pitsburgut.

Në vitin 2009, falë suksesit të treguar, kishte fituar përsëri bursë të plotë studimi, për përfundim të studimeve të doktoraturës në të njëjtin universitet, ku u fokusua përsëri në fushën e Juridikut, konkretisht në fushën e së Drejtës Ndërkombëtare.

Po ashtu, për kontributin e saj në fushën e të drejtave të njeriut, ajo u vlerësua me Çmimin “Sheth International Achievement Aëard”, nga Universiteti i Pitsburgut.

Fokusi politik i Osmanit kryesisht ka qenë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe për sigurimin e një juridiksioni të pavarur. Po ashtu, ajo është e fokusuar edhe në politikën e jashtme, veçanërisht në procesin e integrimit Euro-Atlantik të Kosovës dhe në ruajtjen e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.

Përveç gjuhës amtare, flet edhe anglishten, turqishten, spanjishten dhe serbishten.

Ka publikuar libra, artikuj, monografi dhe punime nga fusha e të Drejtës Ndërkombëtare dhe Komerciale, si në gjuhën shqipe, ashtu edhe në atë angleze.

Vazhdo më shumë

Radio Tipografi

Hapësir reklamuese

Facebook

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021