Kosovë
Vizat italiane, Ukë Rugova, del para drejtësisë
Për më shumë se një vit nuk është mbajtur asnjë seancë për rastin ndaj Ukë Rugovës dhe katër të tjerëve që dyshohen për skandalin me viza italiane.

I Akuzuar për keqpërdorim me vizat italiane, Ukë Rugova, bashkë më një grup ku ishte i përfshirë edhe ish ministri i kulturës, Astrit Haraqija, do të dalin të premten para trupit gjykues. Seanca paraprake e mbajtur më 30 mars dështoi për shkak të mungesës së të akuzuarit Astrit Haraqija, që sipas mbrojtjes së tij, ishte i infektuar me COVID-19.
Meqenëse mungoi Haraqija, gjyqtarja, Fatime Dermaku tha se nuk plotësohen kushtet ligjore për shqyrtim gjyqësor. “Meqenëse mungon i akuzuari Astrit Haraqija nuk ka kushte ligjore për shqyrtimin gjyqësor. Seanca e radhës caktohet me 16 prill”, deklaroi ajo në seancën e fundit.
Avokati mbrojtës Teki Bokshi tha se Haraqija ishte i infektuar me Covid-19. Trupi gjykues ka kërkuar që mbrojtja e të akuzuarit Astrit Haraqija që të dërgojë dokumentacionin që vërteton se ai është i infektuar me COVID-19. “Obligohet Teki Bokshi qe të sjell dokumentacione lidhur me faktin se është i infektuar me Covid-19”, ishte kërkesa e gjyqtares.
Për më shumë se një vit nuk është mbajtur asnjë seancë për rastin ndaj Ukë Rugovës dhe katër të tjerëve që dyshohen për skandalin me viza italiane.
