fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Viti i “dritës” në prag të territ

Fillimi i vitit 2021 e gjeti Kosovën me një Qeveri në detyrë, si dhe me Vjosa Osmanin, ushtruese të detyrës së presidentit. Në dhjetor të vitit 2020 Gjykata Kushtetuese rrëzoi Qeverinë e drejtuar nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, paraprakisht kishte dhënë dorëheqje edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pasi ndaj tij qe ngritur aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Publikuar

Fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje me mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, zgjedhja e Vjosa Osmanit në pozitën e presidentes së Kosovës, rikthimi i kryeqytetit nën qeverisjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, tensionet e vazhdueshme në komunat veriore, refuzimi i projektit të gazsjellësit me Maqedoninë e Veriut, si dhe në fund rrëshqitja e Kosovës në krizë energjetike, ishin vetëm disa nga ngjarjet që karakterizuan vitin 2021.

Cilat ishin ngjarjet kryesore të vitit dhe si arriti Kosova t’i menaxhonte ato?

Fillimi i vitit 2021 e gjeti Kosovën me një Qeveri në detyrë, si dhe me Vjosa Osmanin, ushtruese të detyrës së presidentit. Në dhjetor të vitit 2020 Gjykata Kushtetuese rrëzoi Qeverinë e drejtuar nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, paraprakisht kishte dhënë dorëheqje edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pasi ndaj tij qe ngritur aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Më 14 shkurt, në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje fitoi 50.28 për qind të votave të përgjithshme dhe me këtë mori pushtetin në bashkëpunim me subjektet minoritare. Partia Demokratike e Kosovës fitoi 17 për qind të votave, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës, u rendit në vendin e tretë me rreth 13 për qind të votave.

Me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim, më 22 mars 2021, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Qeverinë të udhëhequr nga Albin Kurti.

Kryetar i Kuvendit të Kosovës u zgjodh Glauk Konjufca nga LVV-ja.

Nis fushata e vaksinimit

Kosova ngeli ndër vendet e fundit në Evropë që arriti të sigurojë vaksina kundër COVID-19 dhe vaksinat e para që erdhën ishin ato përmes programit COVAX, e që është program i Kombeve të Bashkuara për të shpërndarë vaksina për vendet me të ardhura të ulëta. Vaksinat e para arritën në Kosovë vetëm më 28 mars dhe vaksinimi filloi një ditë më pas, më 29 mars. Deri më tani me dy dozat janë imunizuar më shumë se 780 mijë qytetarë.

Osmani, presidente

Më 4 prill 2021, në një seancë të jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës, me 71 vota për zgjodhi presidente të Kosovës, Vjosa Osmanin.

Kurti dhe Vuçiqi nuk pajtohen për asgjë

Me entuziazëm u prit në Bashkimin Evropian ideja se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po takoheshin në Bruksel më 15 qershor. Ky takim që po ndodhte në kuadër të dialogut të mbështetur nga BE-ja në fakt nuk prodhoi asgjë të re. Nuk pati ndonjë pajtim përveç deklaratave të kundërta pas takimit. Zyrtarët e BE-së thanë se takimi nuk ishte i lehtë dhe ftuan palët që të shfrytëzonin momentumin për të arritur një marrëveshje përfundimtare, gjë që nuk duket se do të ndodhë shpejt.

Rreth 1,500 të helmuarit në Deçan

Fluksi i madh i qytetarëve që kërkonin ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, e zuri të papërgatitur stafin mjekësor më 12 korrik të këtij viti. Rreth 1,500 qytetarë të fshatrave të ndryshme të kësaj komune u përballën me simptoma të helmimit. Ata dyshohej se ishin helmuar nga uji i pijshëm i një dege të ujësjellësit “Hidrodrini”.

Analizat laboratorike gjetën disa baktere që dyshohej se shkaktuan problemet shëndetësore te qytetarët, mirëpo mostrat e ujit u dërguan për analiza të detajuara edhe jashtë vendit. Ky rast është ende duke u hetuar nga Prokuroria Themelore e Pejës.

Vuçiq: Takimi me Kurtin, më i keqi në dialog

Më 19 korrik në Bruksel për herë të dytë u ulën në tavolinën e dialogut kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kurti propozoi një deklaratë paqeje në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila tha se u refuzua “pa u lexuar” nga presidenti i Serbisë, Vuçiq. Nga ana tjetër, Vuçiq tha se takimi i dytë me Kurtin ishte më i keqi që ai kishte pasur me zyrtarët e Kosovës në kuadër të dialogut në Bruksel. Takimi përfundoi pa ndonjë marrëveshje dhe takimet më pas vazhduan në nivel teknik.​

Tridhjetegjashtë vdekjet e gushtit

Më 29 gusht, Kosova regjistroi rekordin më të zi të vdekjeve nga COVID-19. Ministria e Shëndetësisë, raportoi për 36 raste të vdekjes nga kjo sëmundje përgjatë vetëm 24 orëve.

Më 15 shtator 2021, në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë të Holandës, filloi gjykimi i parë i një ish-pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Salih Mustafa doli para kësaj gjykate për t’u përballur me akuzat për krime lufte. Në javët që pasuan, filloi gjykimi edhe i krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK-së, Hysni Gucati dhe nënkryetarit të kësaj organizate, Nasim Haradinaj.

​Targat ndezën veriun

Më 20 shtator 2021, Qeveria e Kosovës vendosi që të mos lejojë të hyjë në territorin e Kosovës asnjë veturë me targa të Serbisë. Qeveria kosovare vendosi që të fusë në funksion reciprocitetin sa i takon targave të veturave dhe bënte të njëjtin veprim si autoritetet serbe, çdo veture me targa të Serbisë i hiqeshin ato dhe i zëvendësoheshin me targa të përkohshme.

Njësitet Speciale u dërguan në veri për të siguruar zbatimin e reciprocitetit, por kjo shkaktoi rritje të tensioneve dhe serbët lokalë bllokuan rrugët kryesore që shpinin drejt pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Policia e Kosovës mbeti e bllokuar atje për 12 ditë.

Zgjidhja për ulje të tensioneve u gjet sërish në Bruksel. Atje, dy delegacionet, i Kosovës dhe ai i Serbisë, u pajtuan që të largoheshin bllokadat nga rrugët, të largohej Njësia Speciale, si dhe të vendosej praktika e mbulimit me letër ngjitëse të simboleve shtetërore në targat e automjeteve. Kjo praktikë është ende në fuqi.

Risku i gazit

Shumë diskutime u zhvilluan në muajt e verës për një projekt të kyçje së Kosovës në gazsjellësin ekzistues në Maqedoninë e Veriut. Ky projekt që kishte përkrahjen amerikane, u refuzua nga Kosova në fund të muajit shtator. Ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli, pas debateve të shumta në opinion, më 30 shtator 2021, njoftoi se Kosova nuk do ta çonte përpara këtë projekt për shkak se nuk konsiderohej financiarisht i favorshëm dhe se si projekt kishte risk të lartë për investim. ​

Aksionet e kontrabandës në veri

Më 13 tetor, veriu i Kosovës u tensionua sërish. Atje shkoi sërish Njësia Speciale e Policisë së Kosovës për të zhvilluar një aksion kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal. Dhjetë zyrtarë policorë u lënduan gjatë aksionit. Po ashtu, dhjetë qytetarë të pjesës veriore kërkuan ndihmë mjekësore, ndërkohë u arrestuan tetë persona në rajone të ndryshme të Kosovës. Serbët lokalë gjatë kundërshtimit të aksionit të policisë sulmuan edhe ekipet e mediave, duke përfshirë ekipin e Radios Evropa e Lirë. Në Zveçan ishin përdorur edhe armë zjarri kundër forcave policore të Kosovës.

​Nga 51 për qind në vetëm katër komuna

Më 17 tetor në 38 komuna të Kosovës u zhvilluan zgjedhjet lokale. Në zgjedhje të qeta dhe pa ndonjë incident serioz, Lidhja Demokratike e Kosovës arriti që ta rikthente qeverisjen e kryeqytetit, pasi fitoi zgjedhjet me arkitektin Përparim Rama. Në këto zgjedhje partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, fitoi vetëm 4 komuna në të gjithë Kosovën.

Vrasjet në Gllogjan

Një ngjarje e rëndë tronditi Kosovën mbrëmjen e 26 nëntorit kur në Gllogjan të Deçanit, rreth orës 19:00 një autobus që vinte nga Gjakova u sulmua me armë zjarri dhe në vend u vranë ngasësi i autobusit dhe dy nxënës të shkollës së mesme. Për këtë rast disa ditë nuk pati të arrestuar dhe nuk dihej gjë për dorasit, por më 11 dhjetor, Prokuroria e Themelore e Pejës tha se kishte arrestuar tre persona si të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale. Të arrestuarit, babai dhe dy djemtë e tij, janë në paraburgim ndërkohë që institucionet thanë se po presin disa ekspertiza shtesë nga jashtë.

​Në listë të zezë të SHBA-së, por të lirë në Kosovë

Më 8 dhjetor, autoritetet amerikane njoftuan se kanë futur në listën e sanksioneve një grup të organizuar kriminal, që përbëhet nga serbë nga Kosova duke përfshirë: Milan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Veselinoviq, Srgjan Vuloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq. Në njoftimin e Departamentit amerikan të Thesarit, Zvonko Veselinoviq identifikohet si udhëheqës i grupit të krimit të organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.

Më 21 dhjetor, një aksion i gjerë i Policisë së Kosovës përfundoi me arrestimin e ish-kryetarit të Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq, si dhe nëntë personave të tjerë të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Nikoliqi dyshohet se ka përfituar deri në 1 milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës. Prokuroria tha se Nikoliqi dhe të arrestuarit e tjerë dyshohet se kanë marrë vila, vetura dhe dhurata të tjera në këmbim të lëshimit të lejeve për ndërtimin e vilave dhe objekteve të tjera në Parkun Kombëtar të Maleve të Sharrit.

Një krizë energjetike e paralajmëruar prej muajsh dha sinjalet e para se puna nuk qëndronte aq mirë kur më 23 dhjetor, Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë –KEDS, filloi me reduktime. 8 me 2. Tetë orë me rrymë e dy orë pa rrymë, kështu të paktën u zotuan zyrtarët e KEDS-it, porse ky orar nuk u respektua dhe shumë qytetarë mbetën me orë të tëra pa energji elektrike. Kriza ende po vazhdon dhe Qeveria vazhdimisht po kërkon shpenzim racional të energjisë elektrike. “Reduktime ose rritje të çmimit të energjisë elektrike”, tha kryeministri Kurti.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021