fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Veseli: Shumë shpejtë fillon shpërndarja e fondit

Publikuar

Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Vesel Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se shumë shpejt do të fillojë ekzekutimi i mjeteve nga fondi prej 5 milionë euro, pa dhënë ndonjë afat kohorë. Lidhur më këtë çështje, ai tregon se është formuar Grupi punues në kuadër të MTI-së, i cili është duke përgatitur planin konkret për zbatimin e masave për ndarjen e mjeteve.

“Mjetet janë sepse është vendim i qeverisë. Ka mbetur të vendoset për procedurat e nevojshme për aplikim dhe shumë shpejt të fillojë shpërndarja e mjeteve”, thekson Krasniqi.

Edhe ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami, tha se pret listat nga ministria e Tregtisë dhe Industrisë, në mënyrë që të fillojë ekzekutimi i mjeteve.

Sipas një raporti të MTI-së, në sektorin e prodhimit janë të punësuar rreth 12 për qind e qytetarëve.

Përveç subvencioneve në vlerë prej pesë milionë eurosh, për të vazhduar afarizmin dhe për të mos mbyllur vendet ekzistuese të punës, Qeveria në detyrë e Kosovës, në bazë të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, ka paraparë që lënda e parë e cila prodhohet nga veprimtaritë biznesore në Kosovë, pavarësisht a eksportohet jashtë vendit, të lirohet nga Tatimi Mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Në Kosovë janë të përcaktuara dy norma të TVSH-së: norma standarde 18 për qind dhe norma e reduktuar 8 për qind.

Po ashtu, Ministria e Financave ka shtyrë afatin e pagesës së tatimeve deri në dy vjet nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Për bizneset që nuk arrijnë të bëjnë pagesën e deklaratës tatimore, nuk shqiptohet ndonjë ndëshkim, me kusht që pagesa bëhet në tremujorin e parë të vitit 2021.

Kompanitë prodhuese në Kosovë, ndërkaq kanë kërkuar nga autoritetet qeveritare që në procedurat e tenderimit, institucionet publike të fusin si kriter prodhimin vendor, si përkrahje për rimëkëmbje ekonomike pas humbjeve të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

Ndërkohë, mbështetje për të gjitha bizneset që arrijnë të krijojnë qasje në tregje të reja ndërkombëtare dhe të rrisin eksportet e Kosovës, ka premtuar Lëvizja Vetëvendosje, parti kjo që ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 14 shkurt 2021. Në programin e kësaj partie thuhet se “mbështetje do të ofrohet për të gjithë ndërmarrësit që hapin linja të reja të prodhimit, fusin produkte të reja apo, çka është në qendër të angazhimit tonë si qeveri, arrijnë të shtojnë numrin e punëtorëve”.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021