Lajme
Vazhdon bojkotimi dhe greva e operatorëve të transportit publik

Bojkotimi i punës dhe greva e operatorëve të transportit publik do të vazhdojë edhe enjten (sot), ndërsa të premten Shoqata e Transportuesve Rrugorë të Udhëtarëve do të organizojë një protestë në Prishtinë, dhe të gjithë operatorët do t’i sjellin autobusët para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Kryetari i kësaj shoqate Ruzhdi Kurtishaj tha se Këshilli Drejtues i shoqatës mori vendim që greva për mos qarkullim të transportit rrugor të udhëtarëve do të vazhdojë edhe nesër, ndërsa të premten, në orën 10:00 të gjithë operatorët e transportit do të defilojnë me autobus në Prishtinë, në shenjë pakënaqësie për mos realizimin e marrëveshjes nga ana e qeverisë për subvencionim të humbjeve ekonomike që kanë pasur operatorët e transportit publik në pandemi.
Kurtishaj: Të premten protestojmë në Prishtinë para qeverisë me sjelljen e autobusëve
“Greva do të vazhdojë edhe nesër, ndërsa nga pasnesër do të ndryshojë forma e grevës, do të mbajmë protestë ku (pronarët e autobusëve) autobusët nga të gjitha rajonet e Kosovës do të defilojnë në Prishtinë pa e penguar komunikacionin dhe pa i penguar qytetarët, për të protestuar kundër qeverisë për mos zbatim të kësaj marrëveshje”, tha Kurtishaj, duke shtuar se kërkesat e tyre janë të njohura për Qeverinë që prej verës së kaluar.
“Kërkesat tona qeveria i ka jo tash, por duke filluar nga data 28 korrik dhe menjëherë pas këtyre kërkesave tona, ne edhe më tutje i kemi besuar qeverisë, kemi zhvilluar dialogun, kemi qenë partner i qeverisë për masat që janë ndërmarrë për mbrojtje nga COVID-19, si dhe për të zbatuar të gjitha vendimet e qeverisë që ka dalë edhe për sektorin e transportit rrugor të udhëtarëve”, tha Kurtishaj.
Ai iu ka kërkuar falje qytetarëve për mungesë transporti publik këto ditë, siç tha, qoftë për punëtorë dhe nevoja shëndetësore.
