Lajme
Varroset Papa Benedikti XVI
Sipas autoriteteve, ceremoninë sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan e kanë ndjekur deri në 100.000 persona.

Në Vatikan, përmes një ceremonie kishtare, është varrosur Papa Benedikti XVI, i cili vdiq më 31 dhjetor në moshën 95-vjeçare.
Mijëra persona u mblodhën në Sheshin e Shën Pjetrit për varrimin Papës Emeritus Benedikti XVI, teologut gjerman, i cili bëri histori duke u tërhequr nga drejtimi i Kishës Katolike.
Ceremoninë e varrimit e udhëhoqi Papa Françesku.
Gjatë ceremonisë, Papa Françesku, përmendi fjalët e fundit të Krishtit: “At, në duart tuaja ta dorëzoj shpirtin tim”.
Ai tha se besimtarët urojnë të njëjtën gjë për Benediktin.
“Duke u mbështetur në fjalët e fundit të Zotit dhe si dëshmitarë të gjithë jetës së tij, edhe ne, si komunitet kishtar, duam të ndjekim hapat e tij dhe t’ia dorëzojmë shpirtin e vëllait tonë në duart e Atit”.
Ai përfundoi duke thënë: “Ne të gjithë së bashku duam të themi, At në duart tuaja ta dorëzojmë shpirtin e tij. Benedikt, mik besnik i Krishtit, qoftë i plotë gëzimi yt teksa ti dëgjon zërin e tij, tani dhe përgjithmonë”.
Pas ceremonisë në sheshin e Shën Pjetrit, ka nisur shërbesa private në bazilikën e Vatikanit.
Sipas autoriteteve, ceremoninë sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan e kanë ndjekur deri në 100.000 persona.
