fbpx
Lidhu me Ne!

Kosovë

Ushtria e Malit të Zi, nuk do t’i bashkohet KFOR-it

Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi konfirmoi se ushtria e këtij shteti, këtë vit nuk do të dërgojë një togë këmbësorie në misionin e KFOR-it në Kosovë.

Publikuar

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veri-atlantike (NATO), Jens Stoltenberg tha të martën ne Bruksel se përfshirja e ushtrisë së Malit të Zi në misionin e KFOR-it në Kosovë, do të kontribuonte për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Këto komente të Stoltenbergut vijnë pasi Qeveria e Malit të Zi është shprehur kundër dërgimit të një toge të këmbësorisë në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe për këtë si arsyetim është përmendur pandemia.

“Do të mirëprisja kontributin nga Mali i Zi për KFOR-in sepse një gjë e tillë do të mbështeste punën e rëndësishme të KFOR-it dhe do të ndihmonte që të sigurohej paqja dhe stabiliteti në Kosovë dhe për rajonin. Mali i Zi do të ndihmonte në stabilitetin e rajonit dhe do të punonte me aleatët dhe partnerët e tjerë të NATO-s në misionin e KFOR-it”, tha Stoltenberg, gjatë një konference të përbashkët për media në Bruksel, me presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.

Gjukanoviq tha se nuk ekziston ndonjë arsye pse Mali i Zi të mos marrë pjesë në misionin e KFOR-it. Ai shtoi se kjo ka të bëjë me “hamendje të natyrës politike”.

“Dyshimet përpiqen t’i forcojnë ata që janë kundër pavarësisë së Kosovës, të cilët ende mendojnë se ky ka qenë një gabim dhe të cilët përpiqen të kthejnë rrotën e historisë”, tha Gjukanoviq, duke rikujtuar se qëndrimi i qeverisë së mëparshme ishte se duhet të rritet prania ushtarake në Kosovë.

Gjukanoviq tha se është edhe obligim i Malit të Zi, si shtet nga rajoni, që edhe më shumë se shtetet tjera të japë kontributin e tij si anëtar i NATO-s, për stabilitetin e rajonit.

Ministria e Mbrojtjes: Nuk do të dërgojmë trupa në Kosovë

Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ushtria e këtij shteti, këtë vit nuk do të dërgojë një togë këmbësorie në misionin e KFOR-it në Kosovë.

“Për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi dhe për shkak të kufizimeve buxhetore, ushtria e Malit të Zi nuk planifikon më 2021 të kryejë aktivitete dhe ushtrime të përbashkëta, trajnime ose angazhim të togjeve të këmbësorisë në misionin e KFOR-it në Kosovë”, thanë nga Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi kur u pyetën për arsyen se pse kanë hequr dorë nga dërgimi i trupave në misionin e KFOR-it.

Vendimit për mosdërgimin e trupave në Kosovë i parapriu një paralajmërim i hapur ndaj ministres së Mbrojtjes, Olivera Injac dhe kryeministri Zdravko Krivokapiq, që vijnë nga partia në pushtet, Fronti Demokratik (FD), një parti pro-ruse, se do të mbahen përgjegjës nëse dërgojnë ushtrinë në Kosovë.