fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Sulmohet Policia e Kosovës në veri

Policia njoftoi se njësitet relevante policore kanë dalë në vendngjarje, për të kryer hetimet, kurse zyrtari policor i lënduar është transportuar në spital për t’i ofruar ndihmë mjekësore.

Publikuar

Policia e Kosovës njoftoi se një pjesëtar i saj është lënduar lehtë gjatë një sulmi të armatosur në veriun e Kosovës.

Në një njoftim të policisë thuhet se sulmi ka ndodhur reth orës 23:00 në fshatin Serbovc të komunës së Zveçanit.

Sipas policisë, njësitë që ishin në detyrë “janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM. Si pasojë e incidentit, një pjesëtar i Policisë së Kosovës është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë”.

Policia njoftoi se njësitet relevante policore kanë dalë në vendngjarje, për të kryer hetimet, kurse zyrtari policor i lënduar është transportuar në spital për t’i ofruar ndihmë mjekësore.

Sulmi ka ndodhur pak orë pasi Policia e Kosovës shtoi prezencën e saj në atë pjesë të Kosovës, ku ditëve të fundit janë shpeshtuar incidentet, por pa pasoja në njerëz.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se vendimi i policisë për të shtuar praninë e saj në veri, ka për qëllim sigurimin e qytetarëve.