Lajme
Sot fillon procesi mësimor
Nxënësit nga klasa e 6 deri në të 9-tën dhe nga e 10-ta deri të 12-tën të kenë mësim online, kurse në bankat shkollorë të kthehen nxënësit nga klasa e 1 në klasën e 5

Sot, e hënë fillon procesi mësimor, pas një jave pushim pranveror. Për shkak të pandemisë Covid-19 në klasat nga 6 deri 12 do të zhvillojnë mësimin online, kurse nga 1 deri 5 do të rikthehen në bankat shkollore.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, deklaroi se ky vendim doli nga takimi i kolegjiumit të Asociacionit me ministren e MASHTI, Arbërie Nagavci.
“Në një takim që kanë pasur kolegjiumi i arsimit i Asociacionit të Komunave të Kosovës, me ministren Nagavci janë dakorduar që nxënësit nga klasa e 6 deri në të 9-tën dhe nga e 10-ta deri të 12-tën të kenë mësim online, kurse në bankat shkollorë të kthehen nxënësit nga klasa e 1 në klasën e 5”, ka thënë Ibrahimi.
Ibrahimi ka theksuar se komunat kanë bërë të gjitha përgatitjet për të ndjekur mësimin online, dhe janë të gatshme të fillojnë me zhvillimin e mësimit.
“Sa i përket a janë të gatshme komunat, gjithmonë kanë qenë të gatshme, nuk është hera e parë që të kemi mësim online nëpër komunat e Kosovës. Komunat kanë bërë të pamundurën që fëmijëve në komunat përkatëse t’u sigurohen edhe pajisjet elektronike në mënyrë që të mos kenë mungesë sa i përket përcjelljes së mësimit online”, ka thënë ai.
Ndërkohë, ministrja Nagavci, më 30 mars ka mbajtur një takim me qëllim për të shqyrtuar mundësitë e organizimit të mësimit gjatë ditëve në vijim, zëvendësimin e ditëve të humbura gjatë këtij viti shkollor dhe mësimin plotësues për nxënësit e nivelit fillor dhe atyre që kanë mbetur prapa në mësime.
Në këtë mbledhje, Nagavci pati theksuar brengën e saj për cilësinë e mësimnxënies gjatë këtij viti të vështirë dhe sfidues shkollor, por theksoi se “primar mbetet shëndeti i personelit arsimor dhe i nxënësve”.
Pjesë e kësaj mbledhje ishin edhe zyrtarët e ministrisë së arsimit dhe shkencës, përfaqësues të Kolegjiumit të DKA-së, këshilli i prindërve, drejtorë të shkollave, Instituti Kombëtar i shëndetit Publik dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.
