fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

S’ka shpjegim pse u tërhoq urdhër arresti ndaj Radoiçiqit

Publikuar

Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka treguar arsyet se pse ka tërhequr urdhërarrestin për Millan Radoiçiq, i cili është ndër të dyshuarit kryesor për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

E kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, gjatë së hënës, Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka dhënë përgjigje për kërkesën për revokim të urdhërarrestit për Millan Radoiçiq.

E pyetur nga Radio Evropa e Lirë, Gjykata Themelore e Prishtinës përpos që ka konfirmuar se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, nuk ka dhënë detaje të tjera.

“Për më shumë informacione mund t’i drejtoheni prokurorisë, pasi që çështja është në fazën e hetimeve”, thuhet në përgjigjen e kësaj gjykate.

Sipas Themelores, Departamenti Special me datë 19.02.2021 ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës “për tërheqjen e urdhërarrestit kundër të pandehurit M.R., ndërsa gjykata me datë 23.02.2021 ka aprovuar kërkesën e prokurorisë”.

Shoqëria civile: Prokuroria Speciale duhet të ofrojë transparencë

Por, përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile, që monitorojnë sistemin e drejtësisë në Kosovë, thonë se Prokuroria Speciale duhet që të japë më shumë informacione për këtë rast.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj thotë për Radion Evropa e Lirë se Prokuroria Speciale e Kosovës duhet ta sigurojë opinionin se tërheqja e urdhërarrestit për Radoiçiqin është veprim ligjor.

“Unë besoj se është në interes të publikut që Prokurori i Shtetit të informojë publikun, të japë sqarime shtesë në mënyrë që të sigurohemi se është zbatuar ligji në rastin konkret. Nëse një gjë e tillë është bërë thjesht për arsye tjera dhe të pabazuara në ligj, atëherë sigurisht se prokurori duhet të japë llogari”, thotë Miftaraj.

Nga ana tjetër, Genc Nimoni nga Organizata “Çohu”, thotë se është e rëndësishme të dihen arsyet pse ka qenë i nevojshëm tërheqja e urdhërarrestit.

“Prokuroria ka kërkuar të heqë këtë masë dhe nuk na i ka treguar arsyet pse. Ndoshta ai tash është i kapshëm dhe është arrestuar, ndoshta ka vendosur të bashkëpunoj me prokurorinë dhe këtë nuk e dimë apo ndoshta prokuroria tërësisht ka hedhur poshtë dyshimet dhe akuzat ndaj tij. Asnjërën prej këtyre nuk e dimë dhe është me rëndësi që t’i dimë”, thotë Nimoni./tg/

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021