fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Shkupi s’lëviz nga qëndrimi me Sofjen, BE-ja kërkon zgjidhje

Publikuar

Maqedonia e Veriut nuk lëkundet nga qëndrimet lidhur me kontestin me Bullgarinë, pavarësisht qëndrimeve tanimë të qarta të Brukselit mbi nevojën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, në mënyrë që Shkupi të mund të nisë bisedimet për anëtarësim.

Nga qeveria thonë për Radion Evropa e Lirë, se Shkupi mbetet i hapur për negociata, por jo edhe për kushtëzime që kanë të bëjnë me identitetin, gjuhën dhe historinë maqedonase.

Në këtë kuadër, nga qendra për informim e qeverisë, rikujtojnë deklaratën e kryeministrit Zoran Zaev, në Forumin Ekonomik të Tiranës, më 12 mars, se Maqedonia e Veriut nuk lëviz nga, siç ka thënë ai, vijat e kuqe.

“Të jem i qartë si kristali, përsëris edhe njëherë qëndrimin e qeverisë se ne asnjëherë nuk do të lejojmë që të bisedojmë për atë që nuk mund të bisedohet, për atë se kush jemi, cilat janë atributet tona të identitetit dhe cila është gjeneza e gjuhës dhe shtetësisë tonë”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Procesi i integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian varet nga zgjidhja e kontestit me Bullgarinë dhe këtë fakt duhet ta kenë parasysh autoritetet të cilat duhet të punojnë më seriozisht në qartësimin e aspekteve historike të para vitit 1945, thotë për Radion Evropa e Lirë, njohësi i çështjeve politike, Xhelal Neziri.

Sofja nuk konteston gjuhën dhe kombin maqedon, por insiston që autoritetet maqedonase të pranojnë se para Luftës së Dytë Botërore ato kanë qenë me “rrënjë bullgare”. Neziri thotë se pikërisht këto çështje duhet sqaruar me Bullgarinë, që të mund të zhbllokohet procesi integrues.

“Bullgaria dëshiron të definohet periudha historike para vitit 1945 dhe mendoj se këtu nuk ka edhe aq shumë vend për politikë sa që ka vend për shkencë. Kemi të bëjmë me një histori, për të cilën mbase kemi dhe dëshmitarë të gjallë, ka shumë hartografi, ka shumë dokumente dhe mendoj se duhet të ketë një qasje shumë reale të zhveshur nga folklorizmat dhe patetizmat nga të dyja palët, me qëllim që çdo ngjarje, çdo periudhë historike, çdo figurë historike të definohet ashtu siç duhet”, thotë Neziri.

Por, Risto Nikovski, ish-diplomat, thotë se qëndrimet e palës bullgare mohojnë tërësisht qenien maqedonse, ndërsa ai kritikon edhe pozicionin e BE-së, e cila tani hapur flet për nevojën e arritjes së marrëveshjen me Bullgarinë që të mund të nisin bisedimet e anëtarësimit. Këtë e bëri të ditur qartë më 13 mars në Tiranë, komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi.

“Kjo deklaratë tregon se zgjerimi nuk është në prioritetet e Bashkimit Evropian. Kemi të bëjmë me një taktikë nga ana e Evropës, e cila në njërën anë tregon gatishmëri për zgjerim, ndërsa në anën tjetër punon që të shtyjë në pafundësi procesin e zgjerimit. Kërkesa për arritje të shpejtë të marrëveshjes me Sofjen është joparimore, paraqet presion për të kapitulluar para kërkesave të papranueshme të palës bullgare”, thotë ish-diplomati, Risto Nikovski.

Ai thotë se pala maqedonase duhet t’ia bëjë qartë me dije Sofjes se dëshiron apo jo që mes dy shteteve të ketë marrëveshje për fqinjësi të mirë.  “Ata po zhvillojnë luftë me ne, po na nënçmojnë, po na mohojnë çdo që ka të bëjë me identitetin, ndërsa ne sillemi sikur nuk po ndodh asgjë. Ne, duhet qartë t’u themi se nëse dëshironi miqësinë, zbatoni marrëveshjen dhe mos bllokoni procesin euro-integrues. Nëse këtë nuk e bëjnë, ne duhet përfundimisht të heqim dorë nga marrëveshja dhe të kërkojmë zgjidhje që do të jenë në interes të shtetit”, thotë ish-diplomati, Risto Nikovski. Në anën tjetër, Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike, thotë se autoritetet duhet të kenë kujdes në deklarimet e tyre tani kur Bullgaria ndodhet para zgjedhjeve parlamentare.

“Të mos nguten me deklarata provokuese, të mos përgjigjen në deklaratat provokuese nga ana e Bullgarisë dhe të fokusohen në atë që quhet pastrim të turbulencave apo mjegullnajave historike”, thekson Neziri.

Për shkak të moszgjidhjes së dallimeve, Bullgaria, si anëtare e BE-së, në nëntorin e vitit të kaluar përdori veton ndaj Maqedonisë së Veriut duke bllokuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Vetoja, sipas Sofjes, do të vazhdojnë deri sa të mos arrihet marrëveshje mes dy vendeve për çështjet kontestuese./tg/

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021