fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Shkup, dënime me burg për të akuzuarit në aksidentin e autobusit në vitin 2019

Publikuar

Gjykata Themelore në Shkup shpalli fajtorë pesë të akuzuar për aksidentin e autobusit pranë fshatit Llaskarcë në vitin 2019 ku humbën jetën 16 persona. Autobusi, sipas konstatimeve të prokurorisë dhe ekspertëve nuk kishte qenë në gjendje për të bërë transportin e udhëtarëve.

Pronari i kompanisë së autobusëve “Durmo Turs”, Durmish Beluli mori dënimin më të vogël, 4 vjet heqje lirie, ndërsa shoferi i autobusit Manoil Trifunovski u dënua me 14 vjet burgim.

Menaxheri i kompanisë transportuese u dënua me 6 vjet; dy të akuzuar të tjerë, punonjës në qendrën e kontrollit teknik të automjeteve që kishin fshehur njoftimin për parregullsinë e autobusit, u dënuan me nga pesë vjet burg.

Procesi gjyqësor për këtë rast ka zgjatur prej vitesh. Të akuzuarit kishin instaluar pajisje që nuk lejonin të tregojë, mes tjerash shpejtësinë e saktë të automjetit, sipas prokurorisë.

Aksidenti ndodhi në muajin shkurt të vitit 2019, kur autobusi që udhëtonte nga Shkupi për në Gostivar ishte përplasur papritmas në bankinat e autostradës, kishte kaluar në anën tjetër të rrugës për të përfunduar në humnerë pranë fshatit Llaskarcë, në dalje të Shkupit. Krahas viktimave, në aksident qenë lënduar 38 pasagjerë. Shoferi i autobusit kaloi me lëndime.

Shumica e pasagjerëve ishin nga Gostivari, kryesisht në moshë të re; punonjës administrate që për çdo ditë udhëtonin në kryeqytet.

Të afërmit e viktimave e pritën vendimin e gjyqit me lotë në sy, ndërsa u shprehën të pakënaqur me lartësinë e dënimit. “Dënimet duhej të ishin më të larta”, u thanë gazetarëve disa prej tyre. Por, familjarë të të dënuarve nuk kishin pritur “dënime kaq të larta”, siç u shprehën disa prej tyre. Ndëkaq, prokurori tha se dënimi i këtillë do të pengojë tragjedi të kësaj natyre në të ardhmen.

Asnjë nga të akuzuarit nuk u dërgua menjëherë për të vuajtur dënimin. Ata do ta presin në liri hyrjen në fuqi të vendimit. Një pjesë e tyre pas përfundimit të procesit gjyqsor, u përpoqën ta sulmojnë prokurorin dhe familjarë të viktimave, por u penguan nga avokatët.

Radio Tipografi

Hapësir reklamuese

Facebook