Kosovë
Shkarkimi i ambasadorëve: Veprime të tilla kamikaze e dëmtojnë imazhin e Kosovës në botë
Hoxhaj thotë se kjo përbën skandalin më të madh në Politikën e Jashtme të Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj ka reaguar për lirimin nga detyra të të gjithë ambasadorëve të emëruar politikisht.
Hoxhaj thotë se kjo përbën skandalin më të madh në Politikën e Jashtme të Kosovës.
Ai nëpërmjet një shkrimi në “Facebook” ka theksuar se largimi i ambasadorëve me “çelës politik” është i paprecedent, i pa matur dhe i pa analizuar mirë. Madje ai shkruan edhe se “Veprime të tilla kamikaze e dëmtojnë imazhin e Kosovës në botë”.
“Qeveria Kurti, me veprimin e djeshëm për kthimin e ambasadorëve me “çelës politik”, e ka suspenduar Politikën e Jashtme. Në 23 misione diplomatike, Republika e Kosovës nuk ka ambasadorë. Kjo përbën skandalin më të madh në Politikën e Jashtme të Kosovës. Largimi i përnjëhershëm i ambasadorëve me “çelës politik” është i paprecedent, i pamatur, i pa analizuar mirë. Veprime të tilla kamikaze e dëmtojnë imazhin e Kosovës në botë, e zbehin subjektivitetin ndërkombëtar dhe i përmbysin të arriturat e dy dekadave të fundit në diplomaci”, ka shkruar Hoxhaj.
