Ish-zv. ministri i Jashtëm i Kosovës, Anton Berisha tha se non-paper-i slloven nuk ishte produkt i vetë Sllovenisë por një provokim i situatës dhe reagimeve.
“Do të ishte naivitet politik prej hapësirave shqiptare të presin që Serbia do të jetë e butë ose do të pajtohet me projektin e shtetit të Kosovës. Ajo çfarë për ne është agresive për ta është aktivitet i vazhdueshëm dhe çfarë është brengosje është pasiviteti politik i palës kosovare,” – u shpreh Berisha, shkruan Euronews Albania.
Sipas tij fokusi i qeverisë është në tema të brendshme dhe të pakuptimta, gjë që Serbia po e shfrytëzon në mënyrë të shkëlqyer.
Sa i takon deklaratave të kryeministrit, Albin Kurti se duhet një unitet dhe një platformë në Kosovë para se ai të udhëtojë drejt Brukselit për rinisjen e bisedimeve me Serbinë, Anton Berisha u shpreh se kjo është si rezultat i përballjes së Kurtit me situatën reale dhe jo “përrallat gjatë fushatës”.
“Praktikisht, ai tani do të ndjekë ritmin që do të përcaktohet nga faktorët e rëndësishëm dhe natyrisht tani ai kërkon dhe ndihmën e partive të tjera por nuk ka se me çfarë të ndihmohet pasi platforma është e qartë,” – tha ish-zv. ministri i Jashtëm.
Në fund të intervistës së tij me Euronews Albania, Anton Berisha solli në vëmendje dhe deklaratën e ambasadorit Kosnett i cili u shpreh se bota nuk ka kohë të presë qeverinë e Kosovës.