fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Sanksione ndaj atyre që destabilizojnë Ballkanin

Urdhri zgjeron hapësirën gjeografike të regjimit ekzistues të sanksioneve, duke përfshirë edhe Shqipërinë dhe zgjeron kriteret për kërcënimet aktuale ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe interesave të politikës së jashtme në rajon, duke përfshirë pengimin e proceseve demokratike dhe gjyqësore, korrupsionin dhe krimin e organizuar

Publikuar

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, përmes një Urdhëri Ekzekutiv ka paraparë bllokimin e pronës dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave të caktuar që kontribuojnë në situatën destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.

Urdhëri është vazhdim i atij fillestar të vitit 2001, që parashikon sanksione për individë të Ballkanit Perëndimor që shihen si rrezik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, mirëpo tani janë paraparë edhe sanksione ndaj personave që kryejnë korrupsion dhe minojnë institucionet demokratike.

“Urdhri zgjeron hapësirën gjeografike të regjimit ekzistues të sanksioneve, duke përfshirë edhe Shqipërinë dhe zgjeron kriteret për kërcënimet aktuale ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe interesave të politikës së jashtme në rajon, duke përfshirë pengimin e proceseve demokratike dhe gjyqësore, korrupsionin dhe krimin e organizuar”, thuhet në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, korrupsioni dëmton drejtpërdrejt politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe të partnerëve e aleatëve të tyre. tanë.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të nxitur llogaridhënien dhe për të luftuar korrupsionin në Ballkanin Perëndimor dhe në të gjithë botën”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti Biden shprehet në urdhrin ekzekutiv se “është e nevojshme të bllokohen pronat dhe interesat mbi pronat e çdo personi për të cilin Sekretari i Thesarit, në konsultim me Sekretarin e Shtetit, ka arritur në përfundimin se minon proceset ose institucionet demokratike, apo marrëveshjet ose kornizë rajonale për sigurinë, paqen, bashkëpunimin, njohjen reciproke, ose mekanizmat e llogaridhënies, janë të përfshirë në shkelje serioze të të drejtave të njeriut, apo të përfshirë drejtpërdrejt ose indirekt në korrupsion”.

Shtëpia e Bardhë thotë se Departamenti i Thesarit, në konsultim me Departamentin e Shtetit do të vazhdojë të përditësojë listën e individëve që u nënshtrohen sanksioneve sipas këtij urdhri.

“Garantimi i sigurisë dhe stabilitetit politik të rajonit të Ballkanit Perëndimor është në përputhje me angazhimin e administratës Biden për avancimin e interesave thelbësore të sigurisë kombëtare të SHBA, përfshirë mbrojtjen e institucioneve demokratike”, thotë Shtëpia e Bardhë.

Urdhri që zgjeron kompetencat për të marrë masa ndaj personave që janë të përfshirë në këto kategori, pason vendimin e Shtëpisë së Bardhë javën e kaluar për ta shpallur luftën kundër korrupsionit si një përparësi themelore të interesave të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Urdhri fillestar ekzekutiv i vitit 2001 nga ish-Presidenti George ë. Bush, pas luftrave në Ballkan, parashikonte sanksione në lidhje me ekstremizmin e dhunshëm, shkeljen e Marrëveshjeve të Dejtonit dhe Rezolutën 1244 të OKBs-së për Kosovën dhe kërcënonte stabilitetin në rajon.

Ky urdhër është rinovuar çdo vit që atëherë nga Presidentët amerikanë.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021