fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Rrezikohet përfaqësimi efektiv i komuniteteve joshumicë

Publikuar

Votat nga komunat e banuara me shumicë serbe, të cilat i kanë fituar dy subjektet politike boshnjake, Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq dhe Koalicioni Vakat, do të jenë arsyeja që dy subjektet tjera boshnjake, Unioni Socialdemokrat (SDU) dhe Partia e Re Demokratike (NDS), do të ankohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Kështu kanë deklaruar Duda Bale nga Unioni Socialdemokrat dhe Emilija Rexhepi nga Partia e Re Demokratike.

Për më shumë, sipas tyre, në rast se ankesa në PZAP nuk do të marrin përgjigje, sipas tyre, të merituar, ankesa do të bëhen më pas në Gjykatën Supreme, por edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, thotë se të dyja partitë nga komuniteti boshnjak, Unioni Socialdemokrat dhe Partia e Re Demokratike, kanë bazë të fortë kushtetuese për t’u ankuar në Gjykatën Kushtetuese, por fillimisht, sipas tij, duhet t’i shterrin mjetet e rregullta juridike në PZAP dhe në Gjykatën Supreme.

Në bazë të rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mund të shihet se pjesa më e madhe prej 6.379 votave që ka marrë “Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq”, është siguruar në komunat e banuara me shumicë serbe. Sipas të dhënave preliminare të KQZ-së, më shumë se 5.300 vota për këtë subjekt janë evidentuar në komunat e banuara me shumicë serbe. Ky subjekt politik besohet se ka fituar një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Po sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja, Koalicioni Vakat ka marrë 5.672 vota, prej të cilave të paktën mbi 700 vota janë evidentuar se kanë ardhur nga komunat e banuara me shumicë serbe. Gjithashtu, besohet se edhe ky subjekt politik ka siguruar një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Partia e Re Demokratike ka marrë 2.763 vota, ndërkaq, Unioni Socialdemokrat ka marrë 2.434 vota. Subjekti i pestë politik boshnjak Iniciativa “Nasha”, ka marrë 1.295 vota.

Ish-deputetja Duda Bale nga Unioni Socialdemokrat, thotë se do t’iu drejtohet të gjitha institucioneve kompetente për të shqyrtuar ankesën e saj, pra, fillimisht PAZP-së e më pas, nëse do të jetë e nevojshme edhe Gjykatës Supreme dhe në fund edhe asaj Kushtetuese.

“Do të thirrem në Kushtetutën e Kosovës. Unë dëshiroj që të më mbrojë Kushtetuta dhe dëshiroj që të definohet saktë momenti i Kushtetutës, në të cilin flitet se përfaqësuesi i popullit duhet të zgjidhet me votat e popullit të cilin e përfaqëson.

Ju tash do të keni një deputete, Adrijana Hoxhiqin, për të cilën në 97 për qind të rasteve e kanë votuar serbët. Në këtë rast, se si mundet ajo të përfaqësojë interesat e boshnjakëve, është një pikëpyetje e madhe”, thekson Bale.

Unioni Socialdemokrat, në bazë të rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja, besohet se nuk do të mund të arrijë të sigurojë ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Një ulëse të tillë të garantuar për komunitetin boshnjak, sipas rezultateve preliminare nga KQZ-ja, besohet se e ka siguruar Partia e Re Demokratike. Drejtuesja e saj, Emilija Rexhepi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se megjithatë, edhe subjekti i saj do të parashtrojë ankesë, nëse do të jetë e nevojshme edhe deri në Gjykatën Kushtetuese.

Ankesa, sipas saj, ka të bëjë me votat që Komuniteti i Bashkuar dhe Koalicioni Vakat kanë marrë nga komunat me shumicë serbe, ku sipas saj, nuk jeton asnjë boshnjak.

“Ne për këtë nuk mund të heshtim, sepse në të ardhmen mund të ndodhin lloj-lloj përvetësimesh nga të gjitha shtetet në rajon ose përbrenda shtetit tonë. Ne do të ankohemi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, para së gjithash në PZAP, si subjekt politik, për të parë se nga i kanë marrë votat, në bazë të nënshkrimeve të kujt, prej nga. Pastaj do të ankohemi në bazë të regjistrimit të popullsisë, sepse nuk kemi asnjë boshnjak në Zubin Potok, në Novobërdë dhe në të gjitha këto komunat serbe në Kosovë, kështu që, prej nga atyre ky rezultat?”, thotë Rexhepi.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021