Persona të panjohur, të paraqitur si vëzhgues, kanë rrahur një numërues votash dhe të afërmin e tij në KZAZ-në nr.30.
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:45. Gazetarja Eksiola Shehu raportoi nga KZAZ-ja se ngjarja ndodhi pasi në qendër u paraqitën disa vëzhgues të ri, të cilët sikurse tha kryetari i KZAZ-së, Kelvin Skrela, kishin autorizime nga KQZ-ja.
Skrela tregoi se sapo janë futur në ambientet brenda, ata kanë ngacmuar një numërues të PD-së dhe në përleshje e sipër e kanë goditur me karrige. Pas kësaj ngjarje, ku është përfshirë dhe një i afërm i numëruesit, ka ndërhyrë policia duke shoqëruar tetë persona, përfshirë këtu edhe disa që u përpoqën të hynin nga jashtë.
Për shkak të konfliktit numërimi është pezulluar teksa më vonë policia njoftoi se ka nisur hetimet.
Kandidatja për deputete e PD-së, Orjola Pampuri tha në një deklaratë për mediat se personat që sulmuan numëruesin dhe të afërmin e tij “ishin të panjohur edhe për komisionerët e PS-së”.