fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Rinisja e dialogut me kushte

Tash për tash, për të dyja palët, vazhdimi i procesit të dialogut është i padëshirueshëm.

Publikuar

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar mundësinë e rinisjes së dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, së shpejti, pas kompletimit të institucioneve të Kosovës, të dala pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. Por, autoritetet e të dyja shteteve, të Kosovës dhe Serbisë, vazhdojnë të kenë pikëpamje dhe qëndrime skajshmërisht të kundërta se si do t’i qasen dialogut, vlerësojnë analistët shqiptarë dhe serbë, Donika Emini dhe Ognjen Gogiq.

Sipas tyre, tash për tash, për të dyja palët, vazhdimi i procesit të dialogut është i padëshirueshëm. Përderisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar parimet, si parakushte, me të cilat do t’i qaset procesit të dialogut me Serbinë, autoritetet e Beogradit i kanë cilësuar ato si ultimatume që çojnë drejt përfundimit të procesit dhe shkatërrimit të marrëveshjeve të arritura deri më tash në dialogun e Brukselit.
Ditë më parë, zyrtarët e Bashkimit Evropian, kanë deklaruar se të dyja palët, Kosova dhe Serbia, kanë shprehur gatishërinë për rifillimin e dialogut.

Përplasje për parime

Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se kryeministri Albin Kurti, për sa i përket dialogut me Serbinë, tashmë e ka shprehur qëndrimin e tij, i cili vazhdon të jetë i pandryshuar.
“Kryeministri Kurti ka dhënë katër parime për dialogun me Serbinë. E para, duhet të pranohet realiteti i Kosovës së pavarur. Pra, nuk mund të kthehemi para pavarësisë së vitit 2008. E dyta, duhet të pranohet e vërteta. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe duhet të pranojë krimet që ka bërë. E treta, duhet të ulemi të barabartë. Kosova nuk mund të jetë temë diskutimi, por duhet të jetë palë e barabartë në diskutim. E katërta, duhet nga dialogu dhe nga marrëveshja finale të përfitojnë qytetarët. Dialogu nuk zhvillohet për të rregulluar imazhin e politikanëve, por për të përmirësuar jetën e qytetarëve”, theksoi Kryeziu.

Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje kabinetin e të dërguarit të posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak, lidhur me parimet që Kurti ka prezantuar për bisedimet me Serbinë, por deri në publikimin e këtij teksti, nga Brukseli zyrtar nuk kanë kthyer përgjigje.

Ambsada amerikane në Prishtinë nuk ka dashur të komentojë parimet e paraqitura nga Kurti për dialogun, por tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojë ta mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli zyrtar.
“Pozicioni i Shteteve të Bashkuara vazhdon të jetë i pandryshuar. Ne e mbështesim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane dërguar Radios Evropa e Lirë.

Ndërkaq, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, pas një takimi që pati të martën me zëvendëskryeministrin për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi tha se duhet koordinim me të gjitha palët e përfshira në dialog, përfshirë edhe komunitetin ndërkombëtar.

“Gjatë takimit të sotëm (e martë, 30 mars) me Besnik Bislimin, diskutuam rëndësinë e lidershipit në koordinimin me donatorët; konsultime të gjera më hisedarët në procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja; dhe për vlerën e një shërbimi civil, apolitik dhe procesional”, ka shkruar Kosnett.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021