fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Republika Sërpska diskuton për Kushtetutën e re

Politikanët nga Republika Sërpska kundërshtuan këtë ligj, të cilin e kishte vendosur ish-Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje e Hercegovinë, Valentin Inzko dhe filluan bllokadën e punës në institucionet shtetërore.

Publikuar

Parlamenti i Republikës Sërpska (RS), më 10 dhjetor do të diskutojë rreth deklaratës me të cilën kërkon nga qeveria të përgatisë Kushtetutën e re të këtij entiteti në Bosnje e Hercegovinë (BeH). Kushtetuta e re parasheh bartjen e disa prej përgjegjësive të shtetit të BeH-së ndaj RS-së, si entitet.

Bartjen e disa prej përgjegjësive të cilat, sipas Kushtetutës dhe Marrëveshjes së Dejtonit i takojnë Bosnjës ndaj Republikës Sërpska, kohëve të fundit e kishte paralajmëruar anëtari i Presidencës së BeH nga Republika Sërpska, Millorad Dodik, pasi që në Bosnje me ligj u ndalua mohimi i gjenocidit.

Politikanët nga Republika Sërpska kundërshtuan këtë ligj, të cilin e kishte vendosur ish-Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje e Hercegovinë, Valentin Inzko dhe filluan bllokadën e punës në institucionet shtetërore.

Në Deklaratën për parimet kushtetuese për të cilat do të diskutojë më 10 dhjetor Parlamenti i RS-së, kërkohet nga qeveria që të përgatisë tekstin “në të cilin do të konfirmohen të gjitha përgjegjësitë e Republikës Sërpska, përveç atyre të cilat me Kushtetutë i takojnë Bosnje e Hercegovinës”.

Në rend të ditës së seancës së veçantë janë informatat e posaçme rreth bartjes së përgjegjësive në fushën e institucioneve të drejtësisë së BeH-së, por edhe të mbrojtjes apo sigurisë.

Në dokument saktësohet që “të gjitha nenet e përcaktuara nga Përfaqësuesi i Lartë janë jokushtetuese”.

Parlamenti i RS-së, kah fundi i korrikut miratoi ligjin me të cilin u vendos që vendimi i ish-Përfaqësuesit të Lartë, Inzko rreth mohimit të gjenocidit të mos zbatohet.

Në Deklaratën tashmë të paraqitur në Parlament, përmendet se me Kushtetutën e re qyteti i Banja Llukës do të duhej të bëhej qyteti kryesor ndërkaq qyteti i Palles, kryeqytet.

Çfarë porositi Dodiku më herët?

Kërkesën për mbajtjen e seancës së veçantë në të cilën do të diskutohej rreth bartjes së përgjegjësive, më 8 nëntor e paralajmëroi anëtari i Presidencës së BeH nga RS, Millorad Dodik. Ai e bëri këtë paralajmërim pas takimit me partitë e koalicionit udhëheqës në Banjallukë dhe theksoi që pas shqyrtimit të informatave për bartjen e përgjegjësive do të përgatitet edhe plani i aksionit për kthimin e tyre në nivelin e RS-së.

Takimi i partive, u mbajt pas takimit të Dodikut me Gabriel Escobarin, zëvendës-ndihmësin e Sekretarit amerikan të Shtetit dhe të dërguarit të posaçëm për Ballkanin perëndimor në Sarajevë më 8 nëntor.

Pas bisedës me Dodikun, Escobar deklaroi që “është e hapur mundësia që të tërhiqen vendimet që solli dhe paralajmëroi Dodiku”, e të cilat kanë të bëjnë me bartjen e përgjegjësive nga niveli i BeH-së në nivelin e entitetit të RS-së.

Por, Dodik pohonte që takimi rrodhi ndryshe dhe se e njoftoi diplomatin amerikan se rreth bartjes së përgjegjësive debaton Parlamenti i entitetit.

Edhe me t’u kthyer nga Rusia më 4 dhjetor, Dodik deklaroi se do të vazhdojë me procesin e “bartjes së përgjegjësive”.

Më 20 tetor, Parlamenti i RS-së miratoi ligjin për ilaçet dhe mjetet medicinale që parasheh themelimin e Agjencisë së entitetit për ilaçe, e cila që nga viti 2009 vepron në nivel shtetëror.

Themelimi i agjencisë së këtillë nuk është në përputhje me Kushtetutën e BeH-së, pjesë e Marrëveshjes së Dejtonit nga viti 1995, me të cilin është definuar që entitetet nuk mund të marrin përgjegjësi të shtetit ose përgjegjësitë që janë në përputhje me Kushtetutë të bartura në nivel të shtetit.

Zhelka Cvijanoviq, presidente e RS-së, në tetor solli vendimin sipas të cilit për këtë entitet nuk vlejnë ndryshimet e Kodit Penal të BeH-së, me të cilin dënohet mohimi i gjenocidit dhe krimeve të tjera.

Në ndërkohë, Dodik paralajmëroi edhe bartjen e përgjegjësive kur bëhet fjalë për Forcat e Armatosura të BeH-së, Gjykatës Supreme dhe këshillin prokuroria si dhe Administratën për tatim të BeH-së.

Planet e Dodikut për “ligjin e ri për Ushtrinë e RS-së”

Më 7 dhjetor, Dodik paralajmëroi se tashmë është përpiluar edhe “ligji i ri për Ushtrinë e Republikës Sërpska dhe ligji për demilitarizim” nëse nuk do të ketë gatishmëri që të pranohet propozimi për “përgjysmimin e Forcave të Armatosura të BeH-së”.

“Nga Forcat e Armatosura të BeH-së nuk kemi asgjë, serbët atje nuk shkojnë, mungojnë 40 për qind e kroatëve e myslimanët duan që të plotësojnë kuotat. Buxheti i Bosnje e Hercegovinës ndahet më së shumti për Forcat e Armatosura dhe është rreth 187.9378 euro (370 milionë marka konvertibile) e që thënë sinqerisht nuk është kurrfarë ushtrie por vetëm shpenzues i madh”, tha Dodik gjatë qëndrimit në Beograd.

Sipas Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska dhe Federata e BeH nuk munden individualisht të bartin përgjegjësitë të cilat në periudhën e shkuar u bartën ndaj shtetit.