Lajme
Reagon ministrja e Drejtësisë: Abuzuesit e dhunuesit nuk kanë vend në shoqërinë tonë, aq më pak në institucione
Republika e Kosovës duhet të jetë vend i respektimit të lirive dhe drejtave të njeriut ku krimi e dhunimi nuk do të gjejnë vend, ku këto fenomene negative jo vetëm të ndëshkohen por as edhe të stimulohen

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas raportimeve se një polic është arrestuar sot pasi dyshohet se ka kryer veprën penale ‘sulm seksual’ ndaj një të miture.
“Policia e Kosovës, përveç mbrojtëse e lirive dhe të drejtave të garantuara, janë edhe shembull i tyre. Zyrtari i Policisë është mbrojtës i të cenuarve dhe jo akter i krimit e dhunimit. Ai do të duhej të ishte referencë për sjelljet e secilit qytetar dhe jo vet i përfshirë në dhunime siç ka dyshime për dhunimin e një vajze të mitur nga zyrtari policor. Republika e Kosovës duhet të jetë vend i respektimit të lirive dhe drejtave të njeriut ku krimi e dhunimi nuk do të gjejnë vend, ku këto fenomene negative jo vetëm të ndëshkohen por as edhe të stimulohen.
Ndër të tjera ajo shtoi se organet kompetente duhet të ndërmarrin hapat e nevojshëm që të vërtetohet nëse këto dyshime janë të vërteta e më pastaj të japin dënimin e merituar.
“Organet kompetente menjeherë duhet të ndërmarrin hapat e nevojshëm dhe nëse këto dyshime vërtetohen, persona të tillë jo vetëm të largohen nga uniforma, por të marrin edhe dënimin e merituar”. Askush nën petkun e zyrtarit nuk guxon të ndihet autonom karshi ligjit. Abuzuesit e dhunuesit nuk kanë vend në shoqërinë tonë, aq më pak në institucione”.
