Arta Rama, kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ka uruar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, diçka jo fort e zakonshme, meqë diçka e tillë nuk ka ndodhur me kryeministrat e kaluar, përfshirë edhe momentin kur Kurti kishte marrë detyrën e kryeministrit në fillim të vitit 2020.
Megjithatë në urim thuhet se Gjykata Kushtetuese pret bashkëpunim të ndërsjellët në forcimin e mëtutjeshëm të sundimit të ligjit dhe në mbrojtjen e kushtetutshmërisë në vend.
“Më lejoni t’ju shpreh urimet më të sinqerta me rastin e zgjedhjes tuaj Kryeministër i Republikës së Kosovës, një moment ky me rëndësi të veçantë për ju dhe qytetarët e vendit. Uroj shumë që nëpërmjet vizionit dhe programit tuaj qeverisës të arrini të konsolidoni edhe më tej të arriturat e deritanishme të vendit tonë, në përpjekjet e vazhdueshme për zhvillim demokratik dhe prosperitet. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe unë personalisht, e mirëpresim bashkëpunimin e ndërsjellë në forcimin e mëtutjeshëm të sundimit të ligjit dhe në mbrojtjen e kushtetutshmërisë në vend. I nderuar Kryeministër, shfrytëzoj rastin t’iu shpreh konsideratën time më të lartë dhe t’iu uroj suksese në detyrat e rëndësishme që keni përpara”, thuhet në urimin e Rames për Kurtin.