Kosovë
Qeveria votohet në ora 16:00?

Sot është mbajtur seanca konstituive, ku është zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës. Ndërkaq sot po ashtu do të mbahet seanca ku pritet të votohet Qeveria Kurti.
Burime të T7 brenda Lëvizjes Vetëvendosje kanë deklaruar se mbledhja e Kryesisë së Kuvendit do të mbahet në orën 14:00, ndërkaq aty do të vendoset koha kur do të thirret seanca e Kuvendit ku do të votohet Qeveria.
Të njëjtat burime kanë deklaruar për televizionin se seanca për votimin e Qeverisë do të mbahet në orën 16:00.
Ndryshe, në seancën e parë të legjislaturës së tetë, Glauk Konjufca është zgjedhur kryetar i Kuvendit, nënkryetare nga radhët e VV’së Saranda Bogujevci, nga radhët e LDK’së Kujtim Shala ndërkaq nga PDK Bedri Hamza.
Pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), partitë politike në bazë të numrit të votave të fituara kanë siguruar edhe ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e cila ka marrë 438.335 vota apo 50.28 për qind, ka fituar 58 ulëse në Kuvend, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës 148.285 vota apo 17.009 për qind ka fituar 19 ulëse.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 110.985 vota apo 12.731 për qind ka marrë 15 ulëse në parlament duke vijuar më pas me Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e cila ka fituar 62.111 vota apo 7.124 për qind, ka marrë 8 ulëse të deputetit në Kuvendin e Kosovës.
Ndërsa, Lista Serbe e cila ka fituar 44.407 vota 5.094 për qind ka marrë 10 ulëse në Kuvend të cilat i ka të garantuara me Kushtetutë./tipografi/
