fbpx
Lidhu me Ne!

Shqipëri

PS shpall fitore, PD i konteston zgjedhjet (Video)

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha kontestoi rezultatin preliminar të zgjedhjeve të 25 prillit. Sipas tij, Partia Socialiste bleu dhe nxori mijëra vota të pavlefshme.

Publikuar

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama iu bashkëngjit përkrahësve të Partisë Socialiste në Tiranë për të shpallur dhe festuar fitoren në zgjedhjet e 25 prillit, që i dhanë atij mandatin e tretë si kryeministër dhe partisë së tij mundësinë për të qeverisur Shqipërinë në katër vitet e ardhshme.

Në Sheshin Skënderbe, në prag të përmbylljes së numërimit të votave në zgjedhjet e përgjithshme të Shqipërisë, që nxorën Partinë Socialiste fituese të 74 mandateve, duke i hapur rrugën që të krijojë e vetme Qeverinë, Kryeministri Rama u tha simpatizantëve të tij se rezultati i zgjedhjeve demokratike “është fitorja më e vështirë, më e madhe dhe më e bukur e Partisë Socialiste të Shqipërisë.”

“Ne e kemi thyer rekordin tonë,” tha Rama në mesin e brohoritjeve të të pranishmëve në shesh, duke e cilësuar si historike fitoren e partisë që ai e ka udhëhequr që nga viti 2005.

“Më shumë se asnjëherë jam krenar për shqiptarët, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi që me urtësinë, vendosmërinë dhe votën e tyre kaluan një provë të madhe karakteri në këtë moment kaq sfidues për Shqipërinë,” tha Rama në vazhdim. “Shqipëria votoi, Shqipëria vendosi, Shqipëria fitoi… Fitoi besimi ynë se ky vend bëhet dhe bindja jonë se është misioni ynë ta bëjmë këtë vend.”

Rama po ashtu i bëri thirrje Partisë Demokratike dhe udhëheqësit të saj Lulzim Basha, që u rendit në vendin e dytë, që të pranojë rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit.

Ai premtoi se do të jetë kryeministër i të gjithë qytetarëve të Shqipërisë dhe kërkoi bashkëpunim nga partitë e tjera për ta trasuar më tutje rrugën e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Unë dua të jem kryeministri i gjithë shqiptarëve. Jo vetëm i atyre që më dhanë mandatin e tretë, jo vetëm i socialistëve, por edhe i demokratëve, jo vetëm i atyre që votuan, por edhe i atyre që nuk votuan fare.”

Basha: Partia Socialiste bleu dhe nxori mijëra vota të pavlefshme

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha kontestoi rezultatin preliminar të zgjedhjeve të 25 prillit. Sipas tij, Partia Socialiste bleu dhe nxori mijëra vota të pavlefshme.

“Ne hymë në betejë jo me një kundërshtar politik, por me një regjim. Mijëra vota të pavlefshme, miliona euro të hedhura për blerjen e votës. Përdorën milionat e koncesioneve, kriminelët dhe bandat shantazhuan administratën. Do vazhdojmë të luftojmë për demokracinë. Kush mendon se do dorëzohemi nuk na njeh mirë. Ne jemi më të fortë”, deklaroi Basha.

Ai tha se këto zgjedhje nuk kishin të bënin me demokracinë, porse Partia Demokratike nuk do të dorëzohet.

“U deshën shumë vite që të rrëzonim regjimin komunist por ia dolëm. Edhe këto muaj ne bëmë betejë për demokracinë, unë besoja se ne do ta fitonim dhe do t’ia rikthenim Shqipërisë demokracinë. Këto zgjedhje nuk kishin të bëjnë me demokracinë. Do vazhdojmë të luftojmë për demokracinë. Kush mendon se do dorëzohemi nuk na njeh mirë. Ne jemi më të fortë”, deklaroi Basha.

Shumica e kutive të votimit janë numëruar

Partia Socialiste në Shqipëri kryeson si forcë e parë në tetë qarqe të vendit, ndërkohë që shumica e kutive të votimit janë numëruar.

Deri më tani, Partia Socialiste rezulton me 74 mandate, Partia Demokratike ka një rritje krahasuar me zgjedhjet e kaluara, ku deri më tani ka marrë 59 vende në kuvendin e ri, krahasuar me 46 që ka pasur në 2017.

Ndërsa, Lëvizja Socialiste ka pësuar humbje, ku ka arritur që të marrë vetëm katër mandate nga 19 që ka pasur në zgjedhjet e kaluara.

Meta kërkon maturi nga partitë politike

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta tha se është meritë e tij që 25 prilli të ishte ditë e qetë dhe pa probleme dhe se kjo ditë i shërben demokracisë dhe stabilitetit në vend.

“Edhe pse i vetëm përballë të gjithë institucioneve të kapura, ja arrita, që 25 prilli të ishte një ditë e qetë, paqësore, pa skena dhune dhe me pjesëmarrjen tuaj masive për të ushtruar të drejtën e votës”, u shpreh presidenti përmes një video-mesazhi.

“Sfida ime madhore, sidomos këto dy vjetët e fundit, ka qenë që sovrani të shprehë i lirë vullnetin e tij dhe që Shqipëria të rikthehet në shinat e Kushtetutës, të parlamentarizmit dhe në normalitet politik”, tha Meta.

Duke iu referuar konstatimeve të OSBE/ODIHR, zyrtarët e BE-së, i cilësojnë zgjedhjet si të rregullta.

“Sipas zbulimeve fillestare dhe konkluzioneve të Misionin Vëzhgues të OSBE/ODHIR, zgjedhjet parlamentare ishin përgjithësisht të mirë organizuara, ndërsa fushata ishte e gjallë dhe gjithëpërfshirëse. Komisioni Qendror Zgjedhor i reformuar, mbikëqyri procesin në mënyrë transparente. Vëzhguesit raportuan shqetësime të lidhura me keqpërdorim të resurseve shtetërore nga partia në pushtet dhe figura të tjera publike”.

Në deklaratë thuhet po ashtu se periudha e tranzicionit deri në konstituimin e parlamentit dhe qeverisë së re, nuk duhet të frenojë zbatimin e reformave të nevojshme.

“Ne presim që parlamenti dhe qeveria e re shqiptare të vazhdojë ndjekjen e agjendës së reformave të vendit me vendosmëri, veçanërisht në lidhje me sundimin e ligjit. Ne përsërisim thirrjen tonë për një dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët”, përfundon deklarata.

Në zgjedhjet e përgjithshme të Shqipërisë të drejtë vote kishin 3.6 milionë qytetarë.

Qytetarët votuan për të zgjedhur 140 deputetët e parlamentit të ri dhe qeverinë e re që do të udhëheqë vendin për katër vjetët e ardhshme.

Në Shqipëri, të dielën u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, për herë të dhjetë që nga nisja e pluralizmit politik dhe rënia e komunizmit në vend. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte 48.59 për qind, përkatësisht 1.729.834 qytetarë. Kuvendi i Shqipërisë përbëhet nga 140 deputetë të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore.

Për krijimin e qeverisë, partia apo koalicioni fitues duhet të ketë së paku 71 mandate në Kuvendin e Shqipërisë.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021