fbpx
Lidhu me Ne!

Politikë

Prokuroria i reagon Aliut

Publikuar

Prokuroria Themelore ka reaguar ndaj deklarimeve të Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Qeverinë Kurti, Liburn Aliu,  i cili të martën, pas publikimit të informacioneve se ndaj tij është ngritur aktakuzë, ka thënë së nuk është njoftuar për diçka tillë. Në reagimin e Prokurorisë Themelore thuhet se pretendimet se i pandehuri L.A, nuk është pajisur me Aktakuzë nga ana e Prokurorisë, nuk qëndrojnë.

Sipas Prokurorisë nëse i referohemi Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, Aktakuza i paraqitet gjykatës kompetente në aq kopje sa ka të pandehur dhe mbrojtës të tyre dhe një kopje shtesë për gjykatën. Gjithashtu, gjykatës i dërgohet edhe lënda komplete e hetimit nga prokurori i shtetit, nga neni 242, paragrafi 1 i KPP-së.

Mediat kanë shkruar të martën se Liburn Aliut i është ngritur aktakuz për keqpërdorim të pozitës së autoritetit. Për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar po ashtu po akuzohen edhe Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi.

Ndërkaq në reagimin e Aliut ndaj këtyre shkrimeve thuhet se “Pas lajmit që pashë sot në disa media në lidhje me gjoja akuzimin tim për keqpërdorim të detyrës zyrtare, gjatë kohës sa kam qenë Drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, ndjehem i obliguar të ndaj këtë reagim”

Ai ka thënë së për rastin në fjalë ka dëgjuar për herë të parë nga mediat sot. Marrë parasysh këtë, ai ka thënë se e ka të pamundur të komentoj mbi substancën e rastit.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë pa ndërhyrje:

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda-Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, njofton opinionin se më 23.04.2018, ka pranuar kallëzim penal ndaj personave me inicialet: L.A., A.O., Z.R., N.K., B.U., M.B., në atë kohë zyrtarë të komunës së Prishtinës, në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokurori i Shtetit,  me datë 17.04.2019,  ka marrë aktvendim për fillimin e hetimit, me ç’ rast i ka zhvilluar të gjitha hetimet lidhur me këtë rast, ka dëgjuar të gjithë të pandehurit veç e veç, (me datë 05.08.2019 është dëgjuar i pandehuri L.A) dhe në bazë të provave dhe dëshmive të siguruara më 24.07.2020, ka ngritur aktakuzë për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 të KPRK-së. Të njëjtën aktakuzë e ka proceduar në gjykatën kompetente për procedim të mëtejmë.

Pretendimet se i pandehuri L.A, nuk është pajisur me Aktakuzë nga ana e Prokurorisë, nuk qëndrojnë, sepse nëse i referohemi Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, Aktakuza i paraqitet gjykatës kompetente në aq kopje sa ka të pandehur dhe mbrojtës të tyre dhe një kopje shtesë për gjykatën. Gjithashtu, gjykatës i dërgohet edhe lënda komplete e hetimit nga prokurori i shtetit, nga neni 242, paragrafi 1 i KPP-së.

Në momentin kur aktakuza dërgohet në gjykatë, e njëjta obligohet t’i pajisë palët në procedurë me aktakuzë. Gjatë shqyrtimit fillestar, gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues i jep kopjen e aktakuzës të pandehurit apo të pandehurve, nëse ata nuk i kanë pranuar këto kopje të aktakuzës  më parë, neni 245, paragrafi 2 i KPP-së, çka d.m.th. se me Aktakuzë palët i pajisë Gjykata kompetente.