Sport
Priten gola dhe spektakël, Dortmund sfidon Bayern Munich në “Klasiken” e futbollit gjerman

Gjermania ndalet për Der Klassiker. Java e 10 e Bundesligës sjell supërsfidën mes Borusia Dortmund dhe Bajern Mynih, e programuar për t’u luajtur të shtunën në orën 18.30 , takim që do të mund ta ndiqni në SuperSport 2. Mbretëreshat e kampionatit gjerman janë gati të përballen në një ndeshje që ofron shkëndija. Verdhezinjtë dhe bavarezët ndjekin në klasifikim kryesuesit e Bayer Leverkusen. Dortmundi ka 21 pikë, ndërsa Bajerni 25 por që vjen pas eleminimit të hidhur në Kupën e Gjermanisë nga modestët e Saarbrucken.
Si të gjitha klasiket e mëdha të botës edhe kjo është e vështirë për t’u parashikuar edhe pse Bajerni i Mynihut në Gjermani është gjithmonë i avantazhuar. Bavarezët do të mbështeten shumë te potenciali i tyre sulmues, dhe mbi dëshirën për të reaguar pas eleminimit shokues nga Kupa.
Djemtë e Thomas Tuchel gjithsesi do të duhet të djersijnë shumë për të dalë të suksesëshëm nga Signal Iduna Park ku pritet një ndeshje me gola pasi të dyja skuadrat do të tentojnë fitoren për të mos humbur terren ndaj Leverkusenit që udhëheq klasifikimin. Veç të tjerash të dyja skuadrat po përjetojnë një moment të mirë në Bundesliga, konfirmuar nga fakti që pas 9 ndeshjeve nuk kanë pësuar asnjë humbje.
Lexo edhe:
Spektakli është i garantuar, pasi në vetëm pesë ndeshjet e fundit përballja mes Borusias së Dortmundit dhe Bajern Mynnih ka prodhuar një total prej 23 golash. Duke marë në konsideratë 5 ndeshjet e fundit të luajtura në shtëpi Borusia ka shënuar dy gola në katër raste, duke u kufizuar me një gol vetëm në ndeshjen e Superkupës. Bajerni ndërkohë ka shënuar gjithmonë 2 ose 3 gola.
Ekziston përshtypja se këtë herë skuadrat mund të tregohen më të kujdesëshme, por gjithsesi golat nuk do të mungojnë në një përballje të zjarrtë që do të mund ta përjetoni vetëm nëpërmjet ekranit të Supersport.
