fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Premtime elektorale të parealizuara nga disa bashki në Shqipëri

Publikuar

Tensionet politike që po vazhdojnë prej muajsh, jo vetëm mes opozitës dhe shumicës qeverisëse por edhe brenda grupimeve të vetë opozitës, duket se e kanë larguar vëmendjen nga jeta e përditshme dhe nevojat e qytetarëve, si dhe premtimet që të zgjedhurit vendorë dhanë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të këtij viti. Qendra “Faktoje” paraqiti sot në Shkodër të dhënat e monitorimit të zbatimit të premtimeve elektorale në 10 bashki, premtime që pjesa më e madhe kanë mbetur pa u realizuar.

“Kemi monitoruar rreth 40 premtime elektorale, që kanë dhënë 10 kryebashkiakë gjatë fushatës zgjedhore të majit dhe rezultatet tregojnë se 70 për qind e premtimeve ende nuk janë mbajtur. Ndërkohë, rreth 12 premtime në total rezultojnë të mbajtura. Premtimet që kryesisht rezultojnë të pambajtura janë kryesisht ato për infrastrukturën rrugore, ndërtimin ose rikonstruksionin e shkollave etj”, thotë Aimona Vogli nga qendra “Faktoje”.

Monitorimi i zbatimit të premtimeve elektorale është kryer në bashkitë Shkodër, Lezhë, Elbasan, Korçë, Dibër, Durrës, Vlorë, Fier, Kavajë dhe Himarë.

Porjekti është realizuar në bazë të një metodologjie që përfshin analizën buxhetore, monitorimin e prokurimeve publike si dhe vëzhgimet në terren nga gazetarët dhe aktivistët e Qendrës “Faktoje”. Kjo ka nxjerrë në dukje edhe bashkitë më problematike përsa i përket transparencës dhe mbajtjes së premtimeve të dhëna qytetarëve.

“Bashkia që rezulton më pak transparente, pra që ka përmbushur më pak indikatorët, është Bashkia e Kavajës, diku me 18.7 për qind dhe Bashkia e Himarës. Më pas, nga dhjetë bashkitë e monitoruara, bashkitë e tjera janë me një koeficient mbi 50 përqind”, shton zonja Vogli.

Ndërkohë që Qendra “Faktoje” vëren një shkallë të ulët të mbajtjes së premtimeve, sipas saj, pjesa më e madhe e bashkive në Shqipëri janë bërë më transparente, duke publikuar programet e tyre të transparencës dhe duke ndarë më shumë informacion për qytetarët.

“Shikojmë një zhvillim pozitiv në drejtim të transparencës. Pra, bashkitë janë bërë më të ndërgjegjshme dhe po i zbatojnë ato rregulla dhe detyrime ligjore që i përcakton ligji për pushtetin vendor dhe ka një lloj përmirësimi në nivelin e transparencës për konsultimet publike, programin e transparencës dhe të drejtën e informimit. Megjithatë, ka ende shumë punë për tu bërë”, thotë Esmeralda Topi nga qendra “Faktoje”.

Megjithatë, raporti i monitorimit thekson se, nëntë nga dhjetë bashkitë e monitoruara në vitin 2023 kanë realizuar konsultime publike për hartimin e buxhetit, por vetëm tetë prej tyre e kanë publikuar buxhetin vjetor. Performanca është e njëjtë përsa i përket konsultimeve me publikun për paketën e taksave dhe tarifave vendore, ku 9 nga 10 bashkitë e monitoruara kanë zhvilluar konsultime publike për këtë çështje, ndërsa vetëm 3 nga 10 bashkitë e monitoruara i kanë publikuar urdhërat apo vendimet e kryetarit.

Radio Tipografi

Hapësir reklamuese

Facebook