Lajme
Posta dhe Qeveria në konflikt për shpërndarjen e ndihmave sociale

Posta e Kosovës është duke insistuar në kërkesën e saj që ka për Qeverinë e Kosovës, që t’i mundësohet asaj të shpërndajë mjetet e të gjitha skemave sociale, nderkohë që në Qeveri thonë së Posta nuk është e licencuar si bankë, andaj kjo e pamundeson shpërndarjen e ndihmave sociale nga Posta.
Ushtruesi i detyrës se kryeshefit ekzekutiv në këtë kompani publike, Xhevdet Smakiqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se vetëm pagesat për shërbimet e tarifave (provizionet) që paguan qeveria për skema sociale, do t’i siguronin Postës qëndrueshmëri financiare afatgjate dhe mundësi për t’i ndihmuar edhe qeverisë.
Për realizimin e kësaj çështjeje ai tregon se kanë bërë kërkesë zyrtare në Ministrinë e Punës së Mirëqenies Sociale. “Qeveria nuk ofron shpërndarjen e gjithë skemave sociale. Posta për këtë shërbim është e gatshme, ka 135 zyre, ka teknologji, ka kapacitete, ka sistemin automatik të regjistrimit elektronik të shitjes dhe të shpërndarjes. Varianti aktual është që shpërndarja të bëhet përmes zyrave postare. Posta ka kapacitet që personave me aftësi të kufizuara dhe atyre mbi 65 vjeç, që kanë vështirësi të shkojnë në bankë, paratë t’ua dërgojmë në shtëpi”, tha Smakiqi. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) menaxhon 25 skema të ndryshme të pagesave sociale me mbi 350 mijë qytetarë. Shuma vjetore e buxhetit që ndahet për këto kategori arrin në rreth 500 milionë euro, thotë Mentor Morina, drejtor i politikave sociale në MPMS.
Shumica e këtyre skemave shpërndahen përmes llogarive personale të përfitueseve në bankat komerciale që operojnë në Kosovë. Kurse skema e ndihmave sociale, prej rreth 25 mijë persona, shpërndahet përmes Postës së Kosovës, por administrimi i llogarive bankare realizohet përmes Bankës për Biznes.
Morina thekson se është e nevojshme që skemat sociale të shpërndahen përmes filialeve të Postës, por që aktualisht është e pamundur për shkak se personat që përfitojnë mjete nga buxheti i Kosovës duhet të kenë llogari të hapura në banka.
“Ne kemi pasur takime me zyrtarë të Postës së Kosovës për të shikuar mundësitë dhe praktikat që kemi pasur me ndihmat sociale. Duke marrë parasysh që Posta e Kosovës ende nuk e ka statusin e një institucioni financiar, i cili mund të hapë llogari për klientët, kjo çështje mbetet e kufizuar. Në momentin kur Posta e Kosovës do të ofronte këtë shërbim, që të hapë llogari për klientët, kjo do ishte e mundur të ndodhë”, tha ai.
