fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Policia po heton shpërndarjen e disa fletushkave në veri të Kosovës që bëjnë thirrje për rezistencë

Publikuar

Policia e Kosovës tha se po heton shpërndarjen e disa fletushkave në veri të Kosovës që bëjnë thirrje për rezistencë, një ditë pas protestës së organizuar nga grupe serbësh kundër vendimit të autoriteteve të Kosovës që ndalon përdorimin e dinarit serb për pagesa në të gatshme.

Zëvendësdrejtori i policisë në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani i tha Zërit të Amerikës se pas këshillimit me Prokurorinë Themelore dhe atë të Posaçme janë hapur hetimet për veprën “thirrje për rezistencë dhe nxitje e urrejtjes”. Ai tha se fletushkat janë shpërndarë gjatë protestës së një dite më parë dhe deri tani nuk ka ndonjë të dyshuar apo të arrestuar.

Në fletushkat e nënshkruara nga “Mbrojtja Popullore” udhëzohen qytetarët serbë se si të veprojnë kur hasin në njësitë policore. Aty kërkohet që pjesëtarët e policisë së Kosovës të qëllohen me mjete të ndryshme, të ofendohen ndërsa jepen edhe udhëzime për përgatitjen e shisheve me benzinë të njohura si koktej molotov.

Lista Serbe, subjekti kryesor i serbëve të Kosovës u bëri thirrje qytetarëve serbë që të mos bien pre e provokimeve të tilla. Ky subjekt tha se fletushkat që bëjnë thirrje për “rezistencë ndaj policisë së Albin Kurtit”, janë kundër paqes dhe duken me qëllim të keq për destabilizimin e mëtejshëm, në mënyrë që serbët të fajësohen për incidente të reja të mundshme.

Lista Serbe tha se populli serb në Kosovë do të vazhdojë të luftojë për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tyre në këtë rajon me metoda paqësore.

Grupe qytetarësh serbë protestuan të hënën në Mitrovicën e Veriut kundër vendimit të autoriteteve të Kosovës që ndalon përdorimin e dinarit serb ndërsa i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ushtrojë trysni mbi autoritetet në Prishtinë për anulimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, i cili ka hyrë në fuqi me një shkurt, sipas të cilit euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë.

Banka Qendrore e Kosovës tha se do të lehtësojë qasjen në institucionet financiare për serbët e Kosovës dhe synon këtë ta bëj në periudhë jo më shumë se tre muaj.

Vendimi i Bankës Qendrore ka nxitur reagimin e zemëruar të udhëheqësve të Serbisë të cilët thonë se qëllimi i tij është “përndjekja e serbëve të Kosovës” të cilët marrin pagat dhe pensionet nga Serbia në dinarë.

Diplomatët perëndimorë i kanë bërë qeverisë së Kosovës të pezullojë zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore dhe çështja të diskutohet në procesin e bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.

Radio Tipografi

Hapësir reklamuese

Facebook