fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Policia e Kapitolit paralajmëron për komplot të mundshëm nga një grup milicie

Publikuar

Forca e policisë që mbron Kapitolin tha të mërkurën se ka marrë informacione që flasin për një komplot të mundshëm nga një grup paraushtarak për të hyrë me forcë në ndërtesë të enjten, një plan që të kujton trazirat e 6 janarit të këtij viti.

Në një deklaratë të policisë së Kapitolit nuk përmendej emri i organizatës por ajo cilësohej “një grup milicie i identifikuar”. Autoritetet kanë thënë se ekstremistët e krahut të djathtë ishin pjesë e një turme mbështetësish të ish Presidentit Donald Trump që sulmoi Kapitolin dhe ndërpreu procesin e çertifikimit zyrtar në Kongres për fitoren e Presidentit Joe Biden në zgjedhje.

E enjtja është data kur mbështetës teorish konspirative të krahut të djathtë thonë se ish-presidenti Trump, i cili u mund në zgjedhjet e 3 nëntorit nga Joe Biden, do të betohet për një mandat të dytë në detyrë.

Midis të arrestuarve në lidhje me trazirat e 6 janarit ishin anëtarë të grupeve të krahut të djathtë Proud Boys dhe Oath Keepers. Pesë persona, duke përfshirë një oficer policie humbën jetën nga trazirat.

Policia e Kapitolit tha se po punon me agjencitë lokale, shtetërore dhe federale “për të ndalur çdo kërcënim ndaj Kapitolit”, duke shtuar, “Ne po e marrim seriozisht informacionin e zbulimit”. Rreth kërcënimit nuk janë dhënë hollësi të tjera.

Deklarata e Policisë ve në dukje se departamenti tashmë ka bërë “përmirësime të konsiderueshme të sigurisë” në Kapitol, ku kanë selinë Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati. Nuk është e qartë nëse përmirësimet e fundit janë bërë në përgjigje të kërcënimit të fundit apo janë masa që u morën pas trazirave të 6 janarit.

Nuk ka shenja se Senati ose Dhoma e Përfaqësuesve do të bëjnë ndonjë ndryshim në aktivitetet e tyre legjislative gjatë së enjtes. Dhoma e Përfaqësuesve synon të debatojë dhe miratojë të enjten një projekt-ligj për reformën policore. Senati pritet të jetë i zënë me debatin potencialisht të gjatë rreth një projekt-ligji për ndihmën që lidhet me COVID-19.

Të martën, shefi në detyrë i sigurisë së Dhomës së Përfaqësuesve Timothy Blodgett njoftoi të gjithë anëtarët e Kongresit për një kërcënim të mundshëm sigurie nga e enjtja deri deri të shtunën. Ai i referohej “protestave të mundshme dhe aktivitetit demonstrues lidhur me atë që disa e kanë quajtur “Dita e vërtetë e Përurimit”.

Prej gati një shekulli, presidentët amerikanë janë përuruar më 20 janar, duke përfshirë edhe zotin Biden, i cili e bëri betimin në Kapitol. Më parë, data e betimit ka qenë 4 Marsi.

Që nga 6 janari, territori i Kapitolit ruhet nga trupat e Gardës Kombëtare dhe perimetri i sigurisë së Kapitolit është zgjeruar me një gardh metalik.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021