fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Pfizer: Ende jemi në diskutime me Kosovën për furnizim me vaksina

Publikuar

Kompania Pfizer/BioNtech ende është në diskutime me Qeverinë në detyrë të Kosovës për furnizim me vaksina kundër koronavirusit.

Kjo është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, nga ana e kompanisë Pfizer.

“Ende jemi në diskutime me Qeverinë në Kosovë për të siguruar qasje në vaksinë. Bisedat janë të fshehta dhe nuk kemi ndonjë informacion për të kumtuar aktualisht”, ka thënë për REL-in, Ursa Lakner, një zyrtare e lartë e kompanisë Pfizer.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, në fillim të muajit janar, pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer, për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.

Më 19 shkurt, Ministria e Shëndetësisë nuk ka njoftuar për ndonjë datë të saktë se kur mund të arrijnë në Kosovë vaksinat Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca, edhe pse ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kishte paralajmëruar se ardhja e tyre mund të pritet në shkurt.

Vaksinën e AstraZenecas dhe Oxfordit kundër koronavirusit, Kosova pritet ta marrë falas përmes programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, që ka për qëllim të shpërndajë vaksina në vende të varfra.

Kosova pret të marrë nga COVAX-i rreth 100.800 doza të kësaj vaksine.

Koalicioni për Inovacionet e Përgatitjes Epidemike (CEPI), Aleanca për Vaksina (GAVI), dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), si bashkudhëheqëse të programit ndërkombëtar COVAX, ka njoftuar se planifikon të nisë dërgesën e parë në muajin mars.

Por, disa dërgesa do të bëhen edhe në fund të muajit shkurt, tek ato shtete që i kanë plotësuar kriteret. Ndryshe nga Kosova, në disa shtete të rajonit, tashmë ka filluar procesi i vaksinimit kundër COVID 19.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021