fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Pezullohet vaksinimi me AstraZeneca në disa vende; Ekspertët: nuk ka arsye për shqetësim

Publikuar

Një panel këshillimor i Organizatës Botërore të Shëndetësisë po analizon aktualisht vaksinën e kompanisë AstraZeneca kundër COVID-19, pasi disa vende evropiane pezulluan imunizimet me këtë vaksinë pasi ka pasur raportime për mpiksje gjaku në disa individë pas vaksinimit. Por një zëdhënëse e OBSH-së theksoi të premten se nuk ka arsye për shqetësim.

Zhgënjim dhe konfuzion përfshin turmën që pret në radhë në Kozenca të Italisë pasi një kolonel njofton se kjo pikë vaksinimi do të ndalte imunizimet. Vendimi, thotë ai, është marrë nga agjencia farmaceutike e vendit, AIFA, e cila ka nxjerrë urdhër për të ndaluar përdorimin e një sasie të vaksinës AstraZeneca.

Italia, Danimarka, Norvegjia dhe Islanda janë disa nga vendet që kanë pezulluar imunizimet me vaksinën AstraZeneca pas njoftimeve për mpiksje gjaku në disa individë pas vaksinimit, shkruan VOA.

Organizata Botërore e Shëndetësisë po analizon tani vaksinën, por një zëdhënëse e organizatës tha të premten se nuk ka arsye për shqetësim. Për momentin, thotë zëdhënësja, nuk është vërtetuar ndonjë lidhje shkak-pasojë mes vaksinës dhe problemeve të vërejtura. Për ata që ishin regjistruar të bënin këtë vaksinë dhe që prisnin në radhë në Kozencë, njoftimi ka shkaktuar konfuzion.

“Na vjen keq për ata para nesh. Nëse kjo vaksinë prishet tani e duhet hedhur, nuk di se ç’mund të bëhet. Duhet të kontaktohen ata që bënë vaksinën sa më parë të jetë e mundur,” thotë një italian që priste në radhë për vaksinim.

Në Britani, ku vaksina e kompanisë AstraZeneca u miratua për përdorim në fund të dhjetorit vjet, një anëtar i komisionit për vaksinimet dhe imunizimet shprehet se nuk ka prova që tregojnë se vaksina është shkaktare e problemeve të vërejtura:

“Për momentin nuk duhet të shqetësohet njeri. Kemi bërë 11 milionë doza vaksine të AstraZeneca-s dhe agjencia jonë rregullatore, e cila mbikqyr raportet mbi sigurinë po analizonte nëse këto raste me mpiksje gjaku në grupin e të vaksinuarve dallojnë nga ato të vërejtura në popullatën e gjerë. Nuk ka prova për shkak pasojë mes të vaksinës dhe këtyre simptomave,” thotë Profesor Anthony Harnden./tg/

Radio Tipografi

Hapësir reklamuese

Facebook