Lajme
Përbërja e Kuvendit, ja si do të duket?

Sipas rezultateve preliminare për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.85 për qind të votave, ose 57 deputet; Partia Demokratike e Kosovës 17.41 për qind, ose 20 deputet, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.08 për qind ose 15 deputet dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 7.43 për qind të votave ose 8 deputet.
Por, përqindja mund të ndryshojë pas numërimit të votave me kusht dhe atyre me postë, që në masë të madhe kanë qenë në favor të LVV-së.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se do të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve më 4 mars (të enjten), por ky nuk është epilogu i procesit zgjedhor.
Pas shpalljes zyrtare, partitë apo kandidatët kanë të drejtë ankese në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), brenda 24 orëve. Pas PZAP-së, ankesa mund të bëhen edhe në Gjykatën Supreme.
Ankesat eventuale mund të shtyjnë edhe më tej certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, proces ky që i hap rrugën afatit të ri ligjor për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
