Lajme
Për çfarë dokumentesh sekret thotë Lajçak që ia ka dorëzuar Kurtit?

Emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, qëndroi në Kosovës tri ditë, por nuk tregoi detaje rreth takimit të tij me kandidatin e VV’së për kryeministër, Albin Kurtit. Por, kur shkoi në Beograd, Mirosllav Lajçak, konfirmoi se përveç fjalëve, njeriut që pritet të bëhet kryeministër të hënën e 1 marsit i dha edhe materiale të shkruara midis të cilave ka dëshmi se palët tashmë i kanë finalizuar ujditë për temat e personave të pagjetur, atyre brenda të zhvendosur e për bashkëpunimin ekonomik.
“Këtë dokument dhe disa dokumente tjera ia kam dorëzuar Albin Kurtit, sepse ai duhet të ketë informacione të plota. Për mua ishte e rëndësishme që ai të formulojë tani platformën, programin dhe prioritetet e tij duke u informuar për krejt ato që duhet ditur kur është dialogu në pyetje”, tha mes të tjerash Lajçak në intervistë për televizionin serb N1, shkruan Express.
“Në të njëjtën kohë Kurti e ka njoftuar Lajçak për prioritetet e qeverisë së re, pra punësimin dhe drejtësinë, dhe mbi atë se cila konsiderohet që mund të jetë qasja ndaj dialogut. Në atë takim të dy janë pajtuar se dialogu është i rëndësishëm dhe se ai duhet të jetë parimor dhe i përgatitur mirë”, ka thënë zëdhënësi i Vetëvendosjes, Përparim Kryeziu.
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka konfirmuar se ka ujdi fillestare me presidentin serb derisa e përmendi njërën në veçanti që është ajo për personat e pagjetur.
“Kjo është pjesë e marrëveshjes me njohje reciproke të cilën e kemi nisur ne dhe për të cilën kam folur edhe në Kuvend”, tha shefi i qeverisë në detyrë të premten.
Sipas një plani preliminar që e ka përmendur Lajçak, Kurti – nëse bëhet kryeministër i ri i Kosovës – ka shumë gjasë të takohet me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq në Bruksel diku në muajin maj./tg/
