fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

PDK kërkon që Qeveria të reagojë për deklaratat e Vullinit

Javën e kaluar, Vullin deklaroi se masakra e Reçakut ishte “gënjeshtër e madhe dhe fabrikim i jashtëzakonshëm”.

Publikuar

Subjekti opozitar, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, për siç tha, mosreagimin ndaj deklaratave të ministrit të Brendshëm serb, Alleksandar Vullin.

Javën e kaluar, Vullin deklaroi se masakra e Reçakut ishte “gënjeshtër e madhe dhe fabrikim i jashtëzakonshëm”.

“Alleksandar Vullin tha që Reçaku është ngjarje fiktive. Jo që nuk pritet nga ai një gjë e tillë, por është e çuditshme që nuk pati reagim nga kjo Qeveri. Reagoi SHBA-ja, reagoi Bashkimi Evropian. Çfarë reagimesh pati nga Kosova në raport me këtë deklaratë? Është e turpshme që ne të dalim me një reagim kaq të dobët, nuk po flas si Qeveri, po si Kosovë dhe shoqëri…”, tha deputeti i PDK-së, Adrian Kastrati gjatë seancës të Kuvendit të Kosovës, që po mbahet të hënën.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që ishte i pranishëm në seancën plenare, nuk u përgjigj ndaj kësaj deklarate të deputetit Kastrati. Kabineti i tij nuk i është përgjigjur as pyetjeve lidhur me këtë çështje që Radio Evropa e Lirë i ka dërguar të premten, më 10 dhjetor.

Ndërkaq, kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se shteti i Kosovës reagon përmes proceseve gjyqësore ndaj njerëzve që mohojnë masakra të tilla.

“Mos ia degradoni dinjitetin vuajtjeve dhe sakrificës popullit të Kosovës”, tha Konjufca.

Dy gra vizitojnë vizitojnë memorialin në fshatin Reçak, ku gjendet një memorial për viktimat e masakrës që ndodhi në këtë fshat.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kritikuan Vullin për deklaratat lidhur me masakrën e Reçakut, e cila, sipas Uashingtonit dhe Brukselit është një ngjarje e dokumentuar mirë.

Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe në Kosovë vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak në Komunën e Shtimes.

Krimet e kryera në këtë fshat i kishte dokumentuar kreu i atëhershëm i misionit vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, William Walker.

Ngjarja e Reçakut u pasua nga bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë si dhe në Serbi.

Vullin ka mohuar disa herë në të kaluarën masakrën e Reçakut, duke e quajtur këtë masakër si një “krim të fabrikuar”.

Vazhdo më shumë