fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Paralajmërohet takimi Kurti-Vuçiq para fundit të vitit

Të martën, në Bruksel pritet të zhvillohet një takim i ri në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve dhe, sipas burimeve, temat e diskutimeve do të lidhen me zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme.

Publikuar

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se pret që udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë të takohen para fundit të vitit, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Duke folur pas një diskutimi të ministrave të Jashtëm të BE-së për situatën në Ballkanin Perëndimor, Borrell tha se ftesa e tij për liderët e Kosovës dhe të Serbisë shkon në këtë drejtim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar për herë të fundit më 19 korrik, por pa arritur përparim në ndonjërën prej çështjeve kontestuese.

Borrell tha se pret nga Kosova dhe Serbia që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialog, si dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve.

Të martën, në Bruksel pritet të zhvillohet një takim i ri në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve dhe, sipas burimeve, temat e diskutimeve do të lidhen me zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme.

Gjatë diskutimit të ministrave për Ballkanin Perëndimor, sipas Borrellit, fokusi ka qenë në situatën në Bosnje e Hercegovinë, të cilën ai e cilësoi si serioze.

Udhëheqësi i serbëve në Bosnje, Millorad Dodik, është duke kërcënuar me ndarjen e Republikës Sërpska – entitet i banuar me shumicë serbe – nga pjesa tjetër e Bosnjës.

Borrell tha se “Bashkimi Evropian ka qëndrim të qartë për një Bosnje e Hercegovinë unike” dhe se mbështet “integritetin e saj territorial, si një shtet sovran dhe i pandashëm”.

Ai tha se situata në këtë shtet është rënduar, për shkak të obstruksionit që bëjnë disa politikanë, sidomos me “idetë secesioniste”, që, sipas tij, vënë në dyshim integritetin territorial të këtij shteti.

Edhe pse zgjerimi i BE-së nuk ishte temë e diskutimeve në takimin e ministrave, Borrell tha se pret që para fundit të këtij viti të nisin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Nisja e këtyre negociatave është me rëndësi për rajonin, por edhe për kredibilitetin e Bashkimit Evropian”, tha Borrell.

Para takimit, Komisionari për Fqinjësi dhe Zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi, tha se raportet e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në nuk janë vetëm rreth zgjerimit, por kanë të bëjnë edhe me përshtatjen e politikës së tyre të jashtme me atë të BE-së.

Varhelyi tha se zgjerimi mbetet vegla kryesore e BE-së për të forcuar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Ai tha se pret që tani, pas zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut dhe në Bullgari, të ketë lëvizje të shpejta pozitive në terren, që do të mundësonin nisjen e negociatave të anëtarësimit midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së dhe midis Shqipërisë dhe BE-së.

“Ne jemi të gatshëm për këtë dhe akoma shpresoj se kjo mund të ndodhë para fundit të këtij viti”, tha Varhelyi.

Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, edhe Shqipëria, edhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur të gjitha kushtet për nisjen e negociatave, por kjo është bllokuar nëntorin e kaluar në Këshillin Evropian – në rastin e Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria. Kjo, pastaj, ka ndikuar që të mos nisin negociatat as me Shqipërinë.

Në takim, ministrat e BE-së kërkuan që të ketë një bashkëpunim më të madh me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor edhe në politikën e jashtme.

Vazhdo më shumë

Radio Tipografi

Hapësir reklamuese

Facebook

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021