fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Paralajmërohen zgjedhje të reja në Kosovë?

Publikuar

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Visar Morina, thotë se dështimi për të zgjedhur presidentin shkakton krizë të thellë kushtetuese.

Sipas tij, pozita e ushtruesit të detyrës së presidentit nuk mund të mbahet më tepër se gjashtë muaj nga marrja e detyrës.

“Nëse eventualisht, brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet presidenti i Republikës së Kosovës, atëherë Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të serishme parlamentare”, thotë Morina për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, ky do të ishte një skenar jo i duhur, pasi përbën “manifestim të pastër të mungesës së stabilitetit politik, respektimit të vullnetit politik të qytetarëve dhe demokracisë në përgjithësi”.

Kriza më e thellë kushtetuese, sipas profesorit Morina, mund të shkaktohet nëse skadon mandati i u.d. së presidentit, Vjosa Osmani, dhe nuk zgjidhet presidenti i ri.

“Kushtetuta e Kosovës nuk ofron asnjë referencë normative se cili organ gëzon të drejtën e caktimit të datës së zgjedhjeve në mungesë të një presidenti legjitim, në pikëpamje kushtetuese dhe demokratike. Në një situatë të tillë, zgjedhjen sigurisht se do të duhej kërkuar vetëm te një vendim interpretues i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, thotë Morina.

Krasniqi: I pashmangshëm kompromisi për presidentin

Albert Krasniqi, hulumtues politikash në organizatën “Demokraci Plus”, thotë për Radion Evropa e Lirë se në bazë të rezultatit preliminar zgjedhor, asnjë nga partitë nuk do të jetë në gjendje që ta formojë Qeverinë dhe të zgjedhë presidentin.

“Kompromisi në mes të partive politike është i pashmangshëm nëse synohet që brenda kësaj legjislature të re të zgjidhet presidenti dhe të shmanget një vakuum institucional, i cili mund të shkaktohet. Nuk ka kohë për kurrfarë kombinimesh tjera, por edhe kalkulime të partive politike, për të maksimizuar votën e tyre përmes përsëritjes së zgjedhjeve”, thotë Krasniqi.

Krasniqi thotë se situata aktuale është një mundësi e mirë që të zgjidhet një president konsensual, që do t’i përfaqësonte interesat e të gjithëve, e jo t’i shërbejë vetëm një subjekti politik.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.85 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 17.41 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.08 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7.43 për qind.

Me këtë rezultat, Lëvizja Vetëvendosje pritet t’i ketë 56-57 deputetë në legjislaturën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.

Për Qeverinë, Lëvizjes Vetëvendosje i duhen 61 vota. Për të nisur procedurat për zgjedhjen e presidentit, në këtë rast Vjosa Osmanit si kandidate, në votimin e parë nevojiten 80 deputetë të pranishëm në sallë.

A obligohen deputetët që të marrin pjesë në votimin e presidentit?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) duhet që fillimisht t’i certifikojë rezultatet e zgjedhjeve të 14 shkurtit, për t’u thirrur pastaj seanca konstituive e Kuvendit, në të cilën konfirmohen mandatet e deputetëve.

Pas kësaj, konfirmohen grupet parlamentare dhe zgjidhet kryetari i Kuvendit, si dhe anëtarët e kryesisë.

Në momentin e përfundimit të këtyre procedurave, institucionet procedojnë me çështjen e mandatarit dhe formimit të Qeverisë.

Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe pas publikimit të rezultateve preliminare, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo që i ka fituar zgjedhjet, kanë përjashtuar mundësinë që të kenë në koalicion ndonjë nga partitë shqiptare.

Lëvizja Vetëvendosje ka garuar në zgjedhje me Albin Kurtin si kandidat për kryeministër dhe me Vjosa Osmanin si kandidate për presidente.

Por, bazuar në rezultatet preliminare, Lëvizja Vetëvendosje duket se do të ketë problem që ta bëjë kuorumin e nevojshëm prej 80 deputetësh gjatë seancës në të cilën votohet presidenti.

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Visar Morina, thotë se çështja e kuorumit rregullohet me disa nene të Kushtetutës.

“Ka disa nene kushtetuese që rregullojnë këtë aspekt, sikurse është neni 70 i Kushtetutës së Kosovës, i cili përcakton se ‘deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit’ dhe neni 74 që parasheh se ‘deputetët e Kuvendit të Kosovës do të ushtrojnë funksionin e tyre në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe sipas Kushtetutës, ligjeve dhe Rregullores së Punës së Kuvendit'”, thotë Morina.

Çështja e qëndrimit në sallë apo jo është theksuar në një vendim të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2011, në kohën kur ishte kontestuar zgjedhja e Behgjet Pacollit në pozitën e presidentit.

Pacollin e kishte rrëzuar Gjykata Kushtetuese, pasi në raundin e parë të votimit, të pranishëm në sallë ishin vetëm 67 deputetë nga 80 sa duhej për të pasur kuorumin e nevojshëm.

Përkundër faktit që nuk kishte kuorum, asokohe Jakup Krasniqi, si kryetar i Kuvendit, pas raundit të tretë të votimit, ka konkluduar se Behgjet Pacolli është zgjedhur president i Kosovës.

“Të 120 deputetët e Kuvendit duhet të ndjehen të obliguar sipas Kushtetutës, Ligjit për deputetët, Rregullores së Punës së Kuvendit dhe Kodit të sjelljes, që të marrin pjesë në seancat plenare të Kuvendit”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

Sa i takon situatës së tanishme, profesori i së Drejtës Kushtetuese, Visar Morina, thotë se “refuzimi për të qëndruar në sallë dhe për të votuar, manifeston mungesë të thellë të konsideratës ndaj votuesve dhe patriotizmit kushtetues, të cilit deputetët e Kosovës i janë zotuar me rastin e betimit si deputetë të Kuvendit të Kosovës”.

Aktualisht, nuk ka një datë të saktë se kur do të përfundojë procesi i numërimit dhe rinumërimit të votave, në mënyrë që KQZ-ja ta bëjë certifikimin e rezultateve.

Nga ky proces do të varet edhe thirrja e seancës konstituive të Kuvendit, e më pas formimi i Qeverisë, si dhe zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021