fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Paralajmërim për legjislaturë të tensionuar

Për rritjen e tensioneve, shërbeu një deklaratë e dhënë për media vite më parë nga tani ministrja e punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe ish-krerët e PDK-së.

Publikuar

Me sharje, fyerje e shtyrje mes deputetëve të opozitës dhe atyre të pushtetit, ka kaluar seanca e së enjtes në Kuvendin e Kosovës.

Për rritjen e tensioneve, shërbeu një deklaratë e dhënë për media vite më parë nga tani ministrja e punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe ish-krerët e PDK-së, Hashim Thaçin e Kadri Veselin, të cilët i kishte cilësuar si njerëz të krimit.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në fjalën e tij në Kuvend, e quajti ministren Gërvalla “përfaqësuese të Serbisë në Kosovë”.

“Ti je përfaqësuese e Serbisë në Kosovë. Ti nuk më përfaqëson mua. Ti je turpi më i madh. Sot nëse do të kishim një kryeministër të përgjegjshëm, sot do të duhej të ju shkarkonte. As edhe një minutë t’i nuk mund të jesh ministre e punëve të jashtme”, i tha Tahri.

Por vet ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, akuzoi deputetët e PDK-së se janë fajtorët kryesorë që kanë ndihmuar në formimin e Dhomave të Specializuara.

“Ju pikërisht jeni përgjegjës që prijësit tuaj sot ndodhen në Hagë. Ju, duke mohuar të vërtetën nuk do ta zgjidhni këtë çështje. Bëhuni seriozë, bëhuni opozitë serioze dhe konfrontohuni me të vërtetën tuaj dhe mos mashtroni votuesit tuaj”, deklaroi ministrja Gërvalla.

Ky debat shkaktoi sharje dhe fyerje në mes të deputetëve të pushtetit dhe opozitës.

Tentimi për përleshje fizike

Të pakënaqur me zhvillimin e punimeve në kuvend, deputetët e PDK-së, Memli Krasniqi, Ardian Kastrati dhe Hajdar Beqa, u përfshinë në një situatë të tensionuar me ministra e deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Derisa deputetët e PDK-së po lëshonin sallën në shenjë proteste, ata u përplasën me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, i cili i doli në mbrojte ministres Gërvalla.

Në këtë fjalosje u përfshi edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci si dhe disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë Salih Zybën dhe deputetin e ri, Besim Muzaqi.

Përplasja dhe shtyrjet mes deputetëve të pushtetit dhe opozitës, zgjatën disa minuta derisa kjo çoi në ndërprerje të seancës së Kuvendit.

Para se të ndodhte ky incident, seancën e lëshuan edhe deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ata kundërshtuan mënyrën se si nënkryetarja e kuvendit, Saranda Bogujevci po e udhëhiqte seancën.

Bugujevci u ballafaqua me shefin e grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Pas ndërprerjes së seancës, Mimoza Kusari që udhëheq grupin parlamentar të LVV-së, tha se provokimet dhe fyerjet ishin të rënda nga deputetët e PDK-së.

Muhaxhiri: Tensioni u konvenon të gjitha palëve

Ngjarjet që ndodhën në kuvend janë të papranueshme për ligjëruesin universitar, Artan Muhaxhiri porse sipas tij, ato ndodhin për shkak të mungesës së ideve dhe zgjidhjeve konkrete për nevojat e qytetarëve.

Këto skena sipas tij mund të jenë të pranishme deri në fund të legjislaturës aktuale.

“Këto skena në fakt u konvenojnë të gjitha palëve kur nuk kanë argumente konkrete, kur nuk kanë ide, kur nuk kanë plane të cilat do ta përmirësonin jetën e qytetarëve”, tha Muhaxhiri.

Muhaxhiri thotë se si pozita ashtu edhe opozita, nuk janë duke treguar se kanë ide konkrete se si duhet dalë nga kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia.

“Ka kohë që nuk ofrohet asnjë ide për dalje nga kriza e pandemisë, për dalje nga kriza ekonomike dhe duket që e gjithë kjo situatë stagnuese, do të prodhojë edhe në të ardhmen skena të tilla”, tha Muhaxhiri. Kuvendi kaloi rekomandimet për mbulimin e humbjeve për rrymën në veri

Kuvendi miraton rekomandimet për pagesën e rrymës në veri 

Në seancën e 6 majit të Kuvendit të Kosovës ishte planifikuar që të shqyrtoheshin rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në lidhje me kërkesën e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.

Pas kthimit të deputetëve në seancë, me 61 vota kanë kaluar rekomandimet për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve të energjisë elektrike në pjesën veriore të Kosovës.

Në bazë të këtij vendimi, 11 milionë euro të taksapaguesve do të ndahen për të paguar energjinë për banorët me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021