fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Osmani: Serbia po abuzon me dialogun

Osmani ka thënë se Serbia vazhdon të ketë mendësinë e ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviq, dhe se Rusia e ka gjetur Qeverinë e Serbisë si trampolinë për ta destabilizuar Ballkanin e më pas edhe Bashkimin Evropian.

Publikuar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të hënën, më 8 nëntor, se Serbia nuk është e interesuar në arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese me Kosovën, që ka në thelb njohjen reciproke.

Sipas saj, përmes zvarritjes së marrëveshjes, Serbia dëshiron që rajoni i Ballkanit të mos jetë stabil.

“Serbia i sheh vendet që nuk janë në BE si vende të përkohshme, diçka që mund t’i shkatërrojë. Kjo nënkupton se do të ketë më shumë tentime për destabilizim”, ka thënë Osmani në një panel të organizuar nga Shkolla për Studime të Avancuara Ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins, në Uashington.

Sipas presidentes Osmani, Serbia është duke abuzuar me dialogun me Kosovën – të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian – duke u thënë vendeve që janë larg territorit të Ballkanit që të mos e njohin shtetësinë e Kosovës, sepse “statusi i këtij shteti është ende duke u negociuar”.

 “Abuzojnë me faktin se ne jemi në tavolinë negociuese me ta”, ka thënë ajo.

Dialogu për normalizim marrëdhëniesh mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të BE-së, ka nisur në vitin 2011.

Osmani ka thënë se Serbia vazhdon të ketë mendësinë e ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviq, dhe se Rusia e ka gjetur Qeverinë e Serbisë si trampolinë për ta destabilizuar Ballkanin e më pas edhe Bashkimin Evropian.

“Një Ballkan paqësor nënkupton Evropë paqësore. Kjo nuk është diçka që do Rusia”, ka thënë Osmani, duke shtuar se Ballkani Perëndimor është rajon, në të cilin Rusia dëshiron të zhbëjë gjithçka të ndërtuar nga Shtetet e Bashkuara.

Gjatë bashkëbisedimit me pjesëtarë tjerë të organizimit, Osmani ka thënë se marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara nuk kanë qenë kurrë më të forta dhe se autoritetet në Kosovë janë duke u siguruar se janë duke vepruar në linjë me politikat amerikane.

Edward Joseph, profesor i Universitetit Johns Hopkins, njëherësh njohës i çështjeve të Ballkanit, i cili ka drejtuar diskutimin, ka thënë se niveli i demokracisë në Kosovë është për t’u lavdëruar.

“Kosova duhet të pranohet për demokracinë, miqësinë me Shtetet e Bashkuara dhe orientimin pro-perëndimor”, ka thënë mes tjerash ai.

Osmani ka folur edhe për përpjekjet e autoriteteve të Kosovës për luftim të korrupsionit dhe për reformat në sistemin e drejtësisë.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021