Lajme
Osmani: Rasti i Nënë Ferdonijës na përkujton se sa i lartë ishte çmimi i lirisë.
Presidentja në detyrë Vjosa Osmani të mërkuren ka vizituar Nënë Ferdonije Qerkezi, të cilës që nga viti 1999 i mungojnë bashkëshorti e djemtë, që u zhdukën me dhunë nga forcat serbe.
Presidentja ka shkruar në Facebook se po e përmbyllë këtë ditëlindje të shtetit tonë me vizitë tek Nëna Ferdonije Qerkezi, të cilës që nga viti 1999 i mungojnë bashkëshorti e djemtë, që u zhdukën me dhunë nga forcat serbe.
“Kjo datë, 17 shkurti, është edhe data e lindjes së djalit të saj, Artanit”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka thënë se shtëpia ku akoma ruhen gjësendet e djemve të saj, të cilëve ajo çdo ditë ju flet nëpërmjet fotografive të tyre, na përkujton se sa i lartë ishte çmimi i lirisë.
“Rrobat e tyre, lodrat me të cilat ishin rritur, lugët me të cilat kishin ngrënë, e djepi në të cilin i kishte përkundur…që të gjitha ishin ende aty, në këtë shtëpi muze. Dhimbje që nuk përshkruhet me fjalë, e plagë që nuk mbyllet pa drejtësi e pa kthimin e të gjithë të zhdukurve në tokën e të parëve tanë”, ka thënë presidentja.
Ajo, ka shtuar se në këtë 13- vjetor të shtetit tonë, ritheksojmë zotimin se secila e secili prej nesh do të jemi zëri i nënës Ferdonije e i mijëra nënave të tjera anekënd Kosovës në kërkim të drejtësisë. Asnjë festë e asnjë përvjetor nuk do të jetë kremte e plotë pa u kthyer njerëzit tanë.
