fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Osmani: Presim njohje me Serbinë, duke respektuar disa parime

Ne presim që procesi të përfundojë me njohjen reciproke, duke i respektuar këto parime, dhe që marrëveshja të jetë plotësisht e zbatueshme

Publikuar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se në procesin e dialogut me Serbinë, për Kosovën është thelbësore që të respektohet integriteti territorial, rregullimi i brendshëm kushtetues dhe shtetëror, si dhe funksionaliteti i vendit.

“Ne presim që procesi të përfundojë me njohjen reciproke, duke i respektuar këto parime, dhe që marrëveshja të jetë plotësisht e zbatueshme”, tha Osmani, duke shtuar se çështja e personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës së fundit në Kosovë, duhet të jetë prioritet në dialog.

Osmani i bëri këto komente në një takim që zhvilloi të hënën me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Vizita e tyre në Kosovë po zhvillohet në prag të rifillimit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

Është paralajmëruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mund të takohen kah mesi i qershorit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një konference të përbashkët për media me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Presidentes, Lajçak dhe Palmer “e ritheksuan edhe një herë mbështetjen e tyre të plotë për procesin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Osmani po ashtu shprehu mirënjohje ndaj Bashkimit Evropian për donacionin e vaksinave kundër koronavirusit dhe shfaqi shpresën se edhe SHBA-ja do të ndajë vaksina për qytetarët e Kosovës.Lajçak dhe Palmer takuan më herët edhe kryeministrin Kurti.