fbpx
Lidhu me Ne!

Kosovë

Osmani në adresimin e parë si Presidente: “Do të jemi bashkë në çdo sfidë”

“Unë do të jem presidentja e juaj, presidentja e të gjithëve”, tha Osmani

Publikuar

Në adresimin e saj para Kuvendit, presidentja e zgjedhur, Vjosa Osmani tha se ky post e mvesh atë me përgjegjësi të madhe. “Sot është dita kur vullneti juaj (i qytetarëve) i shprehur me 14 shkurt po jetësohet”, tha ajo. Osmani, e cila është gruaja e dytë që mban postin e presidentit, pas Atifete Jahjagës, tha se zgjedhja e saj në krye të shtetit jep edhe mesazhin për vajzat e vogla, se ato mund të arrijnë aty ku ato dëshirojnë.

“Sot Kosova zgjodhi edhe një herë një presidente grua, për të cilat vajzat e vogla që mund të jenë duke na shikuar në këto momente, shpresoj përherë ta mbani këtë që po e them tani: vajzat e kanë vendin vetëm aty ku vetë dëshirojnë, aty ku çdo natë ëndërrojnë, aty për çka punojnë fort e me zell”, tha ajo.

Presidentja Osmani tha se Kosova po jep shembull për përfaqësimin e gruas në institucionet shtetërore.
“Në ditë si kjo gëzohem shumë për faktin për shembullin që po jep republika jonë në përfaqësimin e gruas në nivel institucional, qoftë në presidencë apo në kuvend. Kuvend është model për t’u ndjekur edhe nga demokracitë edhe më të konsoliduara. Institucionet e vendit tonë gjithnjë e më shumë po reflektojnë strukturën e shoqërisë sonë dhe historinë tonë të larmishme, por kemi edhe shumë punë për të bërë”, tha Osmani para deputetëve.

Presidentja Osmani në adresimin e saj të parë para kuvendit foli edhe për dialogun me Serbinë, duke thënë se paqja “do të arrihet vetëm nëse shohim pendesë nga Serbia”. Osmani tha se drejtësi për Kosovën nuk mund të ketë derisa Serbia nuk do të sjellë para drejtësisë “kriminelët që kryen krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid ndaj popullit të Kosovës”.
Ajo po ashtu tha se do të punojë që interesi nacional të jetë mbi të gjitha, që të respektohet Kushtetuta e Kosovës dhe që aleancat me shtetet do të ruhen e kultivohen.

“Sot zotohem para jush se do të punojë çdo ditë ta forcoj shtetin tonë, Republikën e Kosovës, sundimin e ligjit, të garantoj mbrojtjen e lirive themelore njerëzore dhe jetës së dinjitetshme për të gjithë. Sot zotohem se do ta mbroj çdo pëllëmbë të Kosovës dhe do të angazhohemi pa kursim për të garantuar pacenueshmërinë e integritetit territorial institucional dhe sovranitetit të vendit”, tha ajo.

Osmani u zotua se gjatë mandatit të saj pesëvjeçar, do të jetë figurë unifikuese.

“Unë do të jem presidentja e juaj, presidentja e të gjithëve”, tha Osmani, duke shtuar se dera e saj do të jetë e hapur për të gjithë dhe se nuk do të bëjë dallime mes pushtetit dhe opozitës. Ajo u zotua se “do të jemi bashkë në çdo sfidë”.
Osmani foli edhe për fushën e sigurisë, ku tha se synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO.

“Forca e Sigurisë së Kosovës, ushtria jonë, është ushtria më e re në botë që po kalon periudhën e tranzicionit, por është ushtria me besimin më të madh qytetar. Profesionalizmi dhe besueshmëria e qytetarëve ndaj Forcës së Sigurisë është garancia më e madhe për sigurisë tonë dhe më gjerë dhe garancia më e madhe për të realizuar synimin tonë strategjik për anëtarësim në NATO”.

Osmani ishte kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje për postin e presidentit, parti kjo që udhëheq edhe me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës. Presidenti i Republikës së Kosovës fillon mandatin pasi të ketë dhënë betimin para Kuvendit të Kosovës. Mandati i presidentit është pesë vjet. Pas përfundimit të mandatit të parë, presidenti mund të rizgjidhet vetëm edhe një herë. Pas zgjedhjes, presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike.

Osmani, e cila kishte drejtuar me Kuvendin e Kosovës një vit, nga 3 shkurti 2020, deri më 22 mars 2021, tani do të mbajë një nga postet më të larta shtetërore, atë të presidentes së Republikës së Kosovës.

Që nga 5 nëntori 2020, e deri më 22 mars, Osmani e kishte ushtruar postin e presidentit, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje nga ky post, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Dikur aktiviste e Lidhjes Demokratike të Kosovës, më pas Osmani arriti të bëhej edhe nënkryetare e kësaj partie. Si deputete nga LDK-ja në Kuvendin e Kosovës në tri legjislatura, Vjosa Osmani ka qenë kryetare e Komisionit për punë të jashtme, diasporë dhe investime strategjike dhe kryetare e Komisionit për integrime evropiane. Osmani në zgjedhjet e 14 shkurtit ishte politikania më e votuar, përkatësisht ajo fitoi mbi 300 mijë vota.