fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Osmani dhe Hoti zhvillojnë takime virtuale me Palmerin

Publikuar

Ushtruesja e detyrës së presidentit në Kosovë Vjosa Osmani, është fokusuar në takimin virtual me Zëvendës-ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit Mathew Palmer, në themelimin pa vonesë të institucioneve të Kosovës.

Në një komunikatë për media është thënë se Palmer ka uruar Osmanin për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të mbajtura më 14 shkurt në Kosovë.

Osmani, e cila ka garuar në kuadër të listës së Vetëvendosjes ka fituar më së shumti vota, përkatësisht 300.788.

Në njoftim është thënë se të dy zyrtarët janë pajtuar se institucionet e reja duhet të fokusohen në luftimin e korrupsionit, në adresimin e pandemisë, në rimëkëmbjen ekonomike dhe në krijimin e vendeve të punës.

Në bisedë është diskutuar edhe për rëndësinë e dialogut me Serbinë dhe angazhimin aktiv në këtë proces.

Osmani ka thënë se dialogu duhet të përqendrohet në njohjen reciproke derisa Palmer ka thënë se përkushtimi i Kosovës në dialog kontribuon në stabilitet, paqe dhe progres brenda vendit si dhe në rajon.

Palmer ka thënë po ashtu se Shtetet e Bashkuara do të jenë të përfshira si partnere në dialog, duke i koordinuar qëndrimet me Bashkimin Evropian.

Edhe kryeministri në detyrë i Kosovës Avdullah Hoti ka biseduar të enjten me Palmerin, në një takim virual, për sfidat me të cilat përballet Kosova, mes tjerash pasojat e pandemisë së koronavirusit.

“Kryeministri Hoti ka falënderuar z. Palmer për bashkëpunim dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve për Kosovën në të gjitha etapat e shtet ndërtimit”, është thënë në njoftim.

Sa i përket pandemisë, Hoti ka njoftuar të njëjtën ditë se në Kosovë do të vazhdojnë të zbatohen masat e njëjta për luftim të pandemisë së koronavirusit.

“Institucionet shëndetësore po funksionojnë me kapacitete të plota, furnizimi me barna është stabil, ndërsa deri në fund të muajit pritet të arrijë kontingjenti i parë i prej 33 mijë dozave të vaksinës COVAX dhe menjëherë të fillojë vaksinimi i qytetarëve”, ka thënë Hoti.

Vazhdo më shumë

Tipografi.info, është medie e pavarur që synon avancimin e lirisë se shprehjes, pa ia cenuar të drejtat askujt! Tipografi.info përmes raportimi të tij do të kujdeset që të promovojë vlerat dhe institucionet demokratike dhe të avancoje të drejtat e njeriut. Portali tipografi.info, menaxhohet nga "AP+" sh.p.k., rr. Xheladin Hana, Prishtinë, Kosovë. Kontakt: info@tipografi.info | 044 000 E krijuar nga DBC me shumë 2021