Lajme
OBSH refuzon planet e BE-së për librezat e vaksinimit

Libreza e vaksinimit në BE synon të ndihmojë për përballimin e pandemisë korona. Por Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rezerva serioze – dhe bën një prognozë të guximshme.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka rezerva serioze ndaj planit të Komisionit të BE për një “librezë digjitale vaksinimi kundër Covidi-19”.
Drejtori rajonal i OBSH-së në Evropë, Hans Kluge, i tha gazetës së përditshme “Die Welt” se nuk është e sigurt se sa zgjat imuniteti pas vaksinimit kundër koronavirusit, shkruan dw.
Prandaj OBSH i refuzon librezat e kërkuara të vaksinimit. “Ne e kuptojmë që qeveritë përballen me realitetin politik,” theksoi mjeku belg, duke shtuar se hedhja në përdorim e këtyre librezave, që është njoftuar për verën e këtij viti, është “ndoshta e pashmangshme”. “Por ky nuk është rekomandim i OBSH-së.”
Komisioni i BE dëshiron ta paraqesë projektligjin për “librezën e gjelbër digjitale” më 17 mars. Në të do të regjistrohen vaksinimet për koronën, sëmundja COVID-19 dhe testet negative.
Qëllimi është të gjehet një mënyrë e sigurt për të hequr kufizimet dhe për të udhëtuar në Evropë. Kushtet teknike për këtë librezë pritet të jenë gati brenda tre muajsh në mënyrë që njerëzit e vaksinuar kundër koronës të mund ta dëshmojnë imunizimin e tyre në të gjithë Evropën pa pasur rrezik për falsifikime./tg/
