fbpx
Lidhu me Ne!

Lajme

Nuk kemi pritshmëri të larta nga qeveria teknike në Maqedoninë e Veriut

Publikuar

Nënkryetari i Partisë Alternativa Admirim Aliti, që është pjesë e koalicionit të partive opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut “Lëvizja Evropiane për Ndryshim”, thotë se nuk ka pritshmëri të larta nga qeveria teknike që pritet të miratohet këtë të diel nga parlamenti maqedonas. Ai kritikon ish- kryeparlamentarin e deri tanishëm, Talat Xhaferi, i cili pritet të drejtojë qeverinë teknike, duke e cilësuar si përgjegjës për mos zgjedhjen e një anëtari të opozitës në Këshillin Shtetëror Zgjedhor, shkak për të cilin koalicionin “Lëvizja Evropiane për Ndryshim”, ka paralajmëruar se do të bojkotojë punimet e Kuvendit.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Aliti thotë se miratimi i ndryshimeve kushtetuese, të cilat janë kusht për përparimin e Shkupit drejt integrimt europian, duhet të jenë kusht për qeverinë e re, që do të dalë nga zgjedhjet e 8 majit.

Zoti Aliti tha se koalicioni që ai bën pjesë mbështet heqjen nga Kushtetuta të referencës prej “20 për qind” të popullsisë që përdor gjuhën shqipe. Ai la të hapur mundësinë e kushtëzimit të miratimit të ndryshimeve me heqjen e kësaj reference nga Kushtetuta. “Nuk mendojmë se Maqedonia e Veriut humb, vetëm fiton në qoftë se 20 për qindshi zëvendësohet me gjuhën shqipe”, tha ai.

Zëri i Amerikës: Vendi juaj po përgatitet për qeverinë e re teknike. Koalicioni “Lëvizja Europiane Për Ndryshim”, pjesë e se cilës jeni edhe ju, ka paralajmëruar se do ta bojkotojë Kuvendin, për shkak të mos-zgjedhjes së një anëtari në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, që sipas jush i takon opozitës. Cili është qëndrimi juaj për qeverinë teknike, e cila pritet të drejtohet nga një politikan shqiptar?

Admirim Aliti: Kjo qeveri teknike, siç e dimë, është në 100 ditët e fundit, që gjithësisht ka mandatin të organizojë zgjedhjet dhe nuk ka ndonjë mandat të marrë vendimet të mëdha. Kjo është e përcaktuar edhe me ligj, prandaj nuk është se presim shumë si një qeveri si e tillë. Nga ana tjetër nuk duhet të harrojmë faktin se Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), zgjedhjet e fundit parlamentare i fitoi me argumentin se kryeministri i parë shqiptar do jetë një mandat të plotë, 4 vite dhe pasi u fut në qeveri e ndryshoi 4 vjeçarin, me 100 ditët e fundit kryeministër shqiptar.

E dyta, zoti Talat Xhaferri deri tani ishte kryetar i parlementit dhe ishte në fakt personi kryesor që bllokoi anëtarin në Këshillin Shtetëror Zgjedhor, që në fakt i takon opozitës. Andaj duke ditur që edhe pozita e kryeministrit vetëm për 100 ditë është një simbolikë e thjeshtë, por edhe personi i cili do të jetë kryeministër është zoti Talat Xhaferri, i cili për muaj të tërë bllokon anëtarin e opozitës shqiptare që të jetë në Këshillin Shtetëror Zgjedhor, nuk është se kemi pritshmëri të mëdha, por jemi optimistë, se në zgjedhje, kësaj radhe, opozita shqiptare do ta fitojë BDI-në dhe vërtet do kemi ndryshim esencial në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Zëri i Amerikës: Për të qenë më konkretë, cilat janë pritshmëritë e koalicionit tuaj në zgjedhje?

Admirim Aliti: Siç e dini, në Maqedoninë e Veriut kemi bllokun maqedonas, bllokun shqiptar. Këto në zgjedhje, parimisht, funksionojnë si dy botëra të ndryshme. Normal, ne kërkojmë votën nga shqiptarët. Anketat e fundit që kemi bërë tregojnë se jemi me një avantazh të lehtë para BDI-së. Mos të harrojmë faktin, është hera e parë, që të gjitha partitë shqiptare opozitare bëhen së bashku. Ajo çka na bashkon të gjithëve, është se të gjithë jemi për prosperitet ekonomik, për luftë kundër korrupsionit, të cilët janë antitoda e asaj çka bën BDI-ja, ka indikacione për shumë korrupsion në qeverisjen e tyre, nuk kemi prosperitet ekonomik, thjesht BDI-ja përfaqëson vetëm shqiptarët që janë në BDI, jo edhe shqiptarët e tjerë. Ne jemi për politikë, që kur të jemi në qeveri, si opozitë shqiptare, t’i përfaqësojmë të gjithë shqiptarët, çka nënkupton prosperitet ekonomik për të gjithë shqiptarët, mundësi të barabarta të punësimit, por edhe të bizneseve private për të gjithë, e kështu me radhë.

Zëri i Amerikës: Alternativa në zgjedhjet e fundit doli me katër deputetë, por aktualisht ka vetëm 2. Keni qenë dikur një parti e vetme me Lëvizjen Besa, por u ndatë për t’u ribashkuar tani në koalicion parazgjedhor. Pse duhet të besojë elektorati se nuk do të ketë përsëri përçarje mes jush?

Admirim Aliti: Tjetër kontekst ka qenë përçarja që ka ndodhur dikur në 2017. Tani ne jemi parti të ndryshme, gjithësisht, entitete të ndryshme dhe ne si tri entitete, nuk jemi shkrirë në një. Secila parti politike e ka autenticitetin e vet, megjithatë, siç u thashë më herët, çka bashkon tri partitë politike është se duam të bëjmë ndryshim. Koalicioni gjithashtu pjesë të emrit e ka edhe aspektin evropian, me këtë dëshirojmë t’i themi elektoratit se BDI-ja kur e përmend aspektin evropian e ka vetëm deklarativisht, realisht, kur jemi te reformat, ose te veprimet konkrete për ndryshim që ta afrojnë Maqedoninë e Veriut në Evropë, është shumë larg, ne jemi shumë afër.

Zëri i Amerikës: Zoti Aliti, cili është qëndrimi juaj mbi ndryshimet kushtetuese të cilat parashikohen, në mes të tjerash edhe një çështje që ka ngjallur mjaft polemika, për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë që është edhe një kusht, në fakt, që Shkupi të vazhdojë procesin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian? Deri tani shumica qeverisëse nuk ka arritur dot të sigurojë shumicën e nevojshme prej 2/3 për të bërë të mundur miratimin e këtyre ndryshimeve. Miratimi nuk pritet të bëhet, në fakt, gjatë këtij mandati. Besoni ju se do të bëhet i mundur kalimi i tyre nga parlamenti që do të dalë nga zgjedhjet?

Admirim Aliti: Ndryshimet kushtetuese janë një zotim i Maqedonisë së Veriut vis-a-vis (përballë) Unionit Evropian dhe patjetër duhet të bëhen. Jam optimist që qeverisja e re, pavarësisht se kush është në atë qeverisje – ne kemi vetëbesim se ne do të jemi – ajo do të jetë njëra ndër kushtet për formim të qeverisë për t’u bërë ndryshimet kushtetuese sepse është e vetmja mënyrë që Maqedonia e Veriut të vazhdojë negociatat me Bashkimin Evropian në mënyrë që të bëhet anëtare.

Zëri i Amerikës: A do t’i lidhni ju ndryshimet kushtetuese me heqjen e referencës së 20 për qindshit të popullsisë për përdorimin e gjuhës shqipe?

Admirim Aliti: Qëndrimi i Alternativës, por edhe i partive tjera që janë në koalicion se 20 për qindshi patjetër duhet të hiqet. Ky është qëndrim të cilin e kemi thënë më herët, e themi edhe tani. Do të jetë qëndrim edhe kur formohet qeveria.

Zëri i Amerikës: Pra do të lidhet miratimi i ndryshimeve me këtë kusht?

Admirim Aliti: Mendoj se po, se ne e dimë se Kushtetuta nuk hapet çdo ditë. Ndoshta hera e ardhshme kur hapet është pas 10 viteve e kështu me radhë. Nuk mendojmë se Maqedonia e Veriut humb, vetëm fiton në qoftë se 20 për qindshi zëvendësohet me gjuhën shqipe.

Zëri i Amerikës: Edhe një pyetje të fundit. Ju keni qenë ministër i Shoqërisë Informatike në vendin tuaj. Zyrtarë qeveritarë në Shkup dhe ekspertë flasin për praninë e ndikimit keqdashës rus në vendin tuaj. Çfarë ndikimi mendoni ju ka kjo për një vend si Maqedonia e Veriut, një vend i cili ka deri diku marrëdhënie të brishta ndëretnike?

Admirim Aliti: Mendoj se Rusia si një aktor i keq, siç quhet në arenën ndërkombëtare, në çdo shtet tenton të bëjë konflikte edhe në Maqedoni nuk përjashtohet që të tentojnë. Rreziku padyshim është nga partitë politike të korruptuara, të cilët kanë lek shumë, të cilët mund të shpërndajnë dezinformata e propagandë. Fatkeqësisht, në qoftë se do duhet të mendoj se kush mund ta bëjë atë, në kampin shqiptar frikësohem se BDI-ja mund të bëjë një propagandë, e cila potencialisht mundet ndoshta edhe me ngjallë edhe mini konflikte ndëretnike.

Radio Tipografi

Hapësir reklamuese

Facebook