Sport
“Nuk ishte ndeshje e bukur”, Szczesny: Ndoshta nuk na heqin sërish 10 pikë!

Juventus koleksinoi fitoren e katërt radhazi në Serie A teksa mposhti në transfertë Fiorentinën me rezultatin minimal 1-0. Një gol i të riut Miretti në minutën e dhjetë të pjesës së parë i mjaftoi bardhezinjve që më pas mbrojtën me fanatizëm avantazhin.
Pas sfidës, portieri i torinezëve, Wojciech Szczesny e pranoi se shokët e tij nuk zhvilluan një ndeshje të bukur, por shtoi se një skuadër duhet të dijë të marrë maksimumin edhe në kushte të vështira ndërsa nuk mungoi ironia nga gardiani polak.
Lexo edhe:
“Mbrojtja e fortë është një bazë shumë e mirë. Nuk zhvilluam një ndeshje të madhe në aspektin ofensiv, por ishim të zotët në mbrojtje.
Jam dakord se nuk ishte një ndeshje e bukur për t’u parë, por duhet të tregoheshim efikas. Patëm një ndeshje të vështirë, vuajtëm për 89 minuta. Nuk është e lehtë të fitosh në Firence.
Të gjithë duam të luajmë bukur, megjithatë ndonjëherë duhet të bësh më të sigurtën e të mbrosh avantazhin. Skuadra e ka kualitetin për ta ndërtuar lojën nga mbrojtja. Ecim përpara, shpresoj që mos të na heqin sërish dhjetë pikë si sezonin e kaluar”, u shpreh Szczesny.
